Skip to main content

Tirana Observer: “Rama: Nëse PD s’vjen në zgjedhje, do i përfaqësojmë ne” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama: Nëse PD s’vjen në zgjedhje, do i përfaqësojmë ne” plus 9 more


Rama: Nëse PD s’vjen në zgjedhje, do i përfaqësojmë ne

Posted: 21 Apr 2017 08:09 AM PDT

Kryeministri Edi Rama nga Kukësi u bëri thirrje demokratëve të votojnë për PS-në pasi kjo parti do i përfaqësojë denjësisht.

"Unë e di shumë mirë që këtu në Kukës ka shumë shokë, shoqe, miq, kushërinj, komshinj të cilët janë sot të mërzitur. Janë të mërzitur sepse partia ku prindërit e tyre besuan dhe duan të besojnë është ngujuar në një çadër. Është ngujuar në një çadër jo për lirinë, jo për demokracinë, jo për atë republikën e re por është ngujuar në një çadër sepse ka frikë nga drejtësia. Frika është këshilltari më i keq i njeriut. Por frika nga drejtësia është udhërrëfyesi më i keq i një politikani. Politikanë që kanë frikë të përballen me drejtësinë nuk i duhen dreqit, jo më popullit. Thuajini miqve tuaj, shokëve të klasës, shokëve të lagjes, shokëve të fshatit që nuk kanë besuar dhe nuk besojnë të PS, se në kushtet kur PD do të ngujohet në çadër dhe nuk do të vijë në zgjedhje ne do të marrim përsipër barrën që ti përfaqësojmë edhe ata", tha Rama.

Kryeministri i bëri thirrje të rinjve kuksianë që vota e tyre në 18 qershor do të jetë një votë për të marrë hak për padrejtësitë që i janë bërë.

"Vota e 18 qershorit për të gjithë ju, votuesit për herë të parë është votë për të marrë hak për padrejtësitë që i janë bërë prindërve tuaj, çdo votues i parë në 18 qershor ka detyrimin të votojë për të marrë hak. Vota e 18 qershorit do të garantojë që jeta juaj pas 10 vjetësh të jetë shumë herë më e mirë, përndryshe jeta juaj do të jetë më e keqe nëse ne kthehemi prapa", tha Rama.

David Trezeguet në Tiranë, ja çfarë thotë për tifozët shqiptarë

Posted: 21 Apr 2017 07:05 AM PDT

Futbollisti i njohur francez David Trezeguet vizitoi dje Tiranën.

Ish-futbollisti i kombëtares franceze dhe Juventusit erdhi në Shqipëri i ftuar nga Heineken, sponsor zyrtar i Champions League, i cili organizon fushatën "Champion the Match".

Fituesi i Kampionatit Botëror dhe Evropian me Francën, kampion me skuadrat e Juventusit dhe Monaco-s iu përgjigj interesimit të mediave shqiptare ku shprehu përshtypjet e tij edhe për Kombëtaren e Shqipërisë.

"Unë e njoha ekipin shqiptar sepse isha në stadium dhe në ndeshjen që zhvilloi kundër Francës në Marsejë. Njoh gjithashtu edhe trajnerin Gianni De Biasi. Skuadra ka në përbërje futbollistë të mirë e me kualitetet. Sigurisht që futbolli ndërkombëtar nuk është i lehtë, veçanërisht me afrimin e kampionatit botëror në Rusi. Por cilësitë e kombëtares shqiptare janë aty. Skuadra ka nisur të njihet e të fitojë respekt", u shpreh Trezege.

Gjithashtu ai komentoi edhe tifozët shqiptarë, që në Marsejë u kthyen në një fenomen që mahniti shtypin vendas.

"Duhet t'ju them se keni një publik të jashtëzakonshëm, një dashuri të jashtëzakonshme për futbollin. Uroj sinqerisht që kjo skuadër të arrijë të kualifikohet edhe në Kampionatin Botërore të Rusisë", tha ish-sulmuesi juventin.

Për pranishmit në eveniment ishte një mundësi për ta përshëndetur futbollistin që u ka falur shumë emocione në vite.

Por cilët janë për Trezegue futbollistët më të mirë të momentit?

"Lojtarët më të mirë të momentit janë Messi, bashkë me Cristiano Ronaldon. por janë edhe ata të brezit të ri si Neymar, Pogba, Dybala, që janë lojtarë të së ardhmes".

Si ish-sulmues i Juventusit francezi përpiqet të bëjë një parashikim për rrugëtimin e bardhezinjve në Champions.

"Pas fitores me Barcelonën shanset për Juventusin janë të mëdha për tu kualifikuar, por kanë për të kaluar edhe gjysmëfinalen. Do të jetë e vështirë, por Juventus është një ekip i fortë. Klubi ka bërë investime serioze, kanë blerë futbolliste të një niveli të shkëlqyer'.

 

Andi Bejtja thyen “tabunë”, pozon me gruan dhe ish-gruan dhe jep një mesazh

Posted: 21 Apr 2017 07:03 AM PDT

Përmes një mesazhi pikant në Facebook, gazetari Andi Bejtja ka dhënë kontributin e tij që partitë politike të gjejnë konsensusin për të dalë nga kriza.

Gazetari Bejtja ka publikuar një foto ku është bashkëshorten dhe tjetra ish-bashkëshorten.

"Kontribut për konsensusin Sot dua te kontribuoj konkretisht për paqen dhe konsensusin. Ja Ku jam me gruan dhe ish gruan. Jam PPE e vërtetë", shkruan në Facebook gazetari Andi Bejtja.

Gruaja me flokë brune është bashkëshortja aktuale, ndërsa biondja ish-bashkëshortja.

Ndryshojnë sërish temperaturat, ja si do të jetë moti në fundjavë

Posted: 21 Apr 2017 06:55 AM PDT

Pas reshjeve të shiut e dëborës dhe uljen e ndjeshme të temperaturave, moti pritet që të ndryshojnë sërish.

Kështu, fundjava do të dominohet nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta e kalimtare, më të dukshme në zonat malore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në vlerat minimale, ndërsa rritje më e ndjeshme e temperaturave 3 – 4 gradë Celcius do të ketë në vlerat maksimale të ditës, raporton Tv Klan.

Megjithatë, zonat malore gjatë orëve të natës do të përballen me temperatura deri në minus 6 gradë Celcius.

Të shtunën, bregdeti dhe terrenet e larta malore do të jenë më problematiket sa i përket erës, që do të ketë një shpejtësi mbi 50km/orë. Pritet që situata të ndryshojë të dielën megjithatë gjatë ditëve të para të javës, të martën dhe të mërkurën do të forcohet përsëri.

Këtë fundjavë nuk priten reshje, përjashtuar terrenet e larta malore, në zona mjaft të kufizuara mund të ketë reshje të dobëta dëbore, që do të ngrijë gjatë natës.

Të dielën në zonat malore, gjatë pasdites ka mundësi për reshje të izoluara, kryesisht në veri.

Shqiptarët të dytët në Europë për marrjen e nënshtetësive

Posted: 21 Apr 2017 06:55 AM PDT

Shqiptarët vijojnë të mbeten ndër marrësit kryesorë të nënshtetësive në Bashkimin Europian edhe për vitin 2015, ku 48,400 shtetas kanë përfituar nënshtetësi në vendet e unionit.

Shqipëria është vendi i origjinës për 5,7% të të gjithë marrësve të shtetësisë, ndjekur nga Turqia me 4,2%. Vetëm shtetasit e Marokut kanë përfituar më tepër shtetësi europiane se shqiptarët dhe përbëjnë 10,2% të totalit.

Kontribuesit kryesorë që kanë dhënë nënshtetësi për shqiptarët janë pothuajse tërësisht Italia (72,6%) dhe Greqia (23,8). Një kontribut të vogël në numrin e nënshtetësive e ka dhënë dhe Belgjika me 1%.

Në Greqi, shqiptarët përbëjnë grupin kryesor të marrjes së shtetësisë greke me 82,5%. Të parët po ashtu jemi dhe në Itali, por me një pjesë më të vogël, 19,7%, raporton “Scan”.

Në statistikat e publikuara nga Eurostat, bie në sy marrja e nënshtetësisë kroate, kryesisht nga qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, dhe Serbia, si mënyrë për të përfituar nga benefitet e Bashkimit Europian si lëvizja e lirë dhe e drejta e punësimit në BE.

Ndër vendet me përqindjen më të lartë për dhënien e shtetësisë të huajve është Suedia, ku konkretisht 6,7 nga 100 emigrantë kanë përfituar shtetësinë suedeze.

Blushi, ftesë publike PD-së: Na jep firmat të shkojmë njëkohësisht në zgjedhje parlamentare e presidenciale

Posted: 21 Apr 2017 05:56 AM PDT

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi ka mbështetur publikisht deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha sa i takon alternativës për zgjedhjen e presidentit të ri nga populli.

Me anë të një statusi në faqen e tij të 'Facebook'-ut, deputeti Blushi theksoi se ndihet mirë që më në fund PD ndryshoi mendim, ndërsa e ftoi publikisht opozitën që të japë firmat e duhura për të shkuar bashkë në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.

MESAZHI I BLUSHIT

PRESIDENTI DHE PARLAMENTI TE ZGJIDHEN NGA POPULLI NE NJE DITE

Lulzim Basha ka pranuar sot që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Ne qershor bashkë me Moza Hafizin, Arta Daden, Dashamir Shehin,Vangjel Dulen, Agron Dukën, Luljeta Arapin, Nard Ndokën,Tahir Muhedinin dhe Eduart Selamin kemi depozituar ne Kuvend një amendament kushtetues për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit.

Partia Demokratike nuk pranoi ta mbështeste njëlloj si Rilindja dhe LSI. Amendamenti kërkonte 28 firma dhe nuk u fut ne votim.

Më vjen mirë që PD ndryshoi mendim dhe e ftoj të na japë firmat e duhura për të shkuar në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale njëkohësisht në te njëjtën ditë qoftë 18 qershor apo kurdo.

Populli le të zgjedhë!

 

 

 

Nga Elton Metaj / Telefonata shpëtimtare dhe ushqimi me regji qendrore

Posted: 21 Apr 2017 05:38 AM PDT

Elton Metaj/ Osman Rexha dhe Shahin Basha nuk e kishin menduar kurrë se një ditë fati do t'i bashkonte. Të vendosur, njëri në Shushicë dhe tjetri në Hoxharë, të dy të moshuarit kanë ndërtuar jetët e tyre modeste në fshatrat e Elbasanit dhe Fierit. Por në një Shqipëri të vogël mund të ndodhë që fati të të lidhë në miqësi e krushqi me njerëz e fise që nuk e ke menduar kurrë. Por as kjo nuk ju ndodhi Osmanit dhe Shahinit. Ata nuk i bashkuan fatet në punë a në jetë. Osmani dhe Shahini, me modestinë e tyre, janë sot ndër "yjet" e rinj të krijesës së Mark Zukerbergut. Ata përfunduan në një transmetim direkt, në një rrjet social që quhet "Facebook", jo sepse e zgjodhën diçka të tillë. Sepse familjet Rexha e Basha nga Shushica dhe Hoxhara nuk e kishin menduar se një ditë do të mund të drekonin me kryeministrin e Shqipërisë, në shtëpitë e tyre. Por ja që ndodhi dhe tashmë dy familjet e thjeshta fshatare janë një simbolikë në një garë klikimesh dhe tërheqjeje vëmendjesh, në krijesën më të fundit dhe ndoshta me ekzotike të Edi Ramës.

ERTV, që transmeton falas dhe nuk ka probleme me procesin e digjitalizimit të mediave audiovizive, është termometri që kryeministri e shfrytëzon për të matur temperaturën e populizmit të tij. I akuzuar me zë e figurë për arrogancë nga kundërshtarët e aleatët dhe nën zë edhe nga "të tijët", Edi Rama ka zgjedhur të tregojë një anë tjetër. Atë të një njeriu babaxhan, të thjeshtë e të durueshëm, i cili mund të ulet me këdo, të bisedojë e t'i qajë hallin apo të bëjë batuta e humor, duke thumbuar sa majtas e sa djathtas. Sigurisht që lëvizja mund të ketë efektin e saj. Ajo mund ta bëjë Edi Ramën më të pranueshëm e ndoshta më të dashur për njerëzit me të cilët ai zgjedh të kalojë kohë e të pijë edhe ndonjë gllënkë raki. Por ushqimi në fshat, i regjistruar nga një regji qendrore dhe i transmetuar falas në "Facebook", nuk zgjidh një problem tjetër. Atë për të cilin Ilir Meta i kërkon prej kohësh, publikisht e në tryezë diskutimi, heqjen dorë nga arroganca politike. Një fshatar mikpritës me mbiemrin Basha mund të jetë më i këndshëm për Edi Ramën, nëse ai do të zgjidhte të konsumonte ushqim bio, por sigurisht kjo nuk do të zëvendësonte nevojën politike për të "konsumuar" një axhendë diskutimi me opozitën dhe aleatët e drejtuar nga "holandezi" Basha.

Shpëtimi i zgjedhjeve, i theksuar së fundmi edhe nga LSI e Metës, si më i rëndësishëm se çdo koalicion apo fushatë paraprake elektorale, nuk mund të vijë nga arroganca publike e Ramës, sado maksimaliste e të parealizueshme t'i duken kërkesat e opozitës. Shpëtimi i zgjedhjeve nuk mund të vijë nga ftesat që "në mes e lart" përmbajnë vullnet për dialog e elokuencë politiko-diplomatike e "në mes e poshtë" kunja, ironi, përbuzje, neveri e ngurtësi për kundërshtarin politik, i cili ftohet të ulet në një tryezë ku do t'i ofrohet "ushqim" dhe "dajak", në mënyrë që "ushqimi" t'i ngecë fyt dhe "dajakun" të mos e harrojë kurrë.

Në skenën aktuale politike, Edi Rama sigurisht që ka një përgjegjësi më të madhe se aktorët e tjerë. E sigurisht një përgjegjësi më të madhe se Lulzim Basha. Nëse "Lulëzimi i çadrës" përfaqëson sot vetëm votat që ka marrë në qershor 2013, pra votat e pakicës, Edi Rama nuk është thjeshtë kryetar i Partisë Socialiste. Ai është kryeministër i vendit, është kryeministër i shqiptarëve, pavarësisht nëse ata kanë votuar për PS-në, PD-në, LSI-në apo presin të votojnë Ben Blushin. Ndaj gjuha e tij publike, nga foltorja e kryeministrit të vendit, nuk mund të jetë e mbushur me tallje e sarkazëm, sado neveri mund të ndjejë personalisht për Lulzim Bashën dhe njerëzit e tij në opozitë. Në lëmshin politik të krijuar në muajt e fundit, çdo teprim nuk e ndihmon zgjidhjen dhe çdo përdorim dashakeq i fjalës thyen kocka, që janë të vështira të ngjiten shpejt, në trupin e vjetëruar të një Shqipërie të lodhur në përpjekjen për t'i dhënë fund tranzicionit.

Edi Rama sigurisht që nuk e ka harruar mesditën e 3 janarit 2007, atëherë kur ziente debati për zgjedhjet vendore, i pagëzuar si "kriza e certifikatave". Edi Rama sigurisht që nuk e ka harruar bisedën telefonike me Sali Berishën, me ndërmjetësinë e një diplomati të njohur. E pra kaq u desh, që një ambasador me peshë, i ndodhur në zyrën e kryeministrit të atëhershëm, të mundësonte një komunikim direkt mes dy armiqve të betuar. Dhe kjo ndoshta ishte biseda e parë direkte mes Sali Berishës e Edi Ramës prej 15 vitesh, prej kohës kur të dy mendonin se do të ishin bashkëluftëtarë politik. Por megjithë urrejtjen reciproke të pakufishme dhe të pafshehur për njëri-tjetrin, kriza u zgjidh. Ajo ishte telefonata shpëtimtare, që e riktheu vendin në normalitet, duke shtyrë zgjedhjet dhe duke plotësuar pjesën më të madhe të kërkesave të opozitës.

E pra politika shfaqet e komplikuar, e pakuptueshme dhe e mbushur me intriga, por ajo është e përbërë edhe nga gjestet dhe rastësitë. Mbi të gjitha, ajo duhet të jetë e mbarsur edhe me dëshirën e sinqertë për të komunikuar me kundërshtarin politik në raste krizash. E nëse ky komunikim nis, ndoshta edhe diplomatët mund t'i habisim. Edhe mbyllja e krizës e meriton një transmetim live në ERTV.

“Të futi Nano në politikë”, Rama ia kthen komentuesit: O i shkreti ti, ta ka mpirë trurin SHQUP-i

Posted: 21 Apr 2017 05:32 AM PDT

Nuk janë të paktat rastet kur kryeministri Edi Rama i kthen përgjigje komentuesve në faqen e tij të 'Facebook'-ut. Sapo kreu i qeverisë postoi disa foto nga takimi që zhvilloi dje në Durrës, qytetarët nisën të komentonin, ku disa e përkrahnin dhe disa e akuzonin. Mes komenteve spikat ai i një komentuesi i cili thotë Ramës se në politikë e futi ish-kryeministri dhe themeluesi i PS-së, Fatos Nano. Fill pas kësaj e menjëhershme ka qenë dhe kundërpërgjigja e Ramës.

 "O i shkreti ti i shkreti ti, i shkreti ti qe ta paska mpire trurin krejt Shqupi e ta paska futur koken ne Cader! Shko ne shkolle cun se je ne kohe dhe lexo te behesh i zoti vetes, se pasuria eshte dije dhe dijen s'ta fal zoti, zoti te fal trurin qe ta mbushesh me dije! Dhe merr shembullin e prinderve mos i tradheto prinderit qe te kane rritur me sakrifica, po respektoji duke folur me edukate se edukata te duhet per vete jo per mua o cun.", shkruan Rama në komentin e tij.

Donald Lu kritikon Edi Ramën: Bëre deklaratë të pakujdesshme kur fole për bashkimin me Kosovën

Posted: 21 Apr 2017 05:14 AM PDT

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu në një prononcim për BIRN ka thënë se deklarata e kryeministrit Rama për perspektivën e bashkimit me Kosovën ishte "e pakujdesshme" dhe se pengonte stabilitetin në rajon.

Fatjona Mejdini BIRN

Ambasadori amerikan në Shqipëri ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për hedhjen e mundësisë për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës nëse të dyja vendet ndihen të refuzuara nga Bashkimi Europian. "Qeveria Amerikane mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi kundër çdo diskutimi të pakujdesshëm për bashkim. Ai pengon stabilitetin e rajonit dhe rrugën europiane për të dyja vendet", tha Lu për BIRN.

Në një intervistë për Politico në Europë të publikuar më 18 prill, Rama tha se nëse dyert e Europës mbylleshin për Ballkanin Perëndimor, do të shfaqeshin bashkime më të vogla, si bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

Rama këmbënguli se kjo nuk ishte ajo që ai dëshironte, por shtoi se nëse BE-ja dështonte të integronte Ballkanin, gjithçka mund të ndodhë.

"E vetmja mënyrë për të mbajtur Ballkanin në këtë frymë paqësore dhe bashkëpunuese… është të mbahet e hapur rruga e BE-së… Askush nuk do të donte të kthehej nga vetja dhe të kërkonte për bashkime më të vogla, të gjithë do të pëlqenin të bashkoheshin në unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë sigurisht unione të vogla mund të ndodhin," tha Rama.

Më 19 prill deklarata e Ramës u pasua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shprehu zemërim mbi atë që e quajti "mungesë të vizionit të BE-së ndaj rajonit".

"E kam thënë edhe në vitin 2013 dhe e përsëris tani: nëse BE-ja i mbyll dyert Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në të njëjtën hapësirë, që më vonë të integrohen në familjen europiane," tha Thaçi.

Deklaratat e Ramës dhe Thaçit kanë zemëruar disa në Serbi, ku politikanët i dënuan ato si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Serbia ende pretendon se Kosova është pjesë e territorit të saj. Ish-provinca shpalli pavarësinë në 2008. Shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur këtë, por Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende të tjera nuk e kanë përqafuar ende pavarësinë e vendit.

Gjykata e Tiranës dënon Mark Frrokun me 7 vite e 6 muaj burg

Posted: 21 Apr 2017 04:02 AM PDT

Gjykata e Tiranës ka dënuar sot me 7 vite e 6 muaj burg, ish-deputetin dhe ish-kreun e PKD-së, Mark Frrokun për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm. Ndërkaq Gjykata e ka shpallur Mark Frrokun të pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë. Pas seancës, avokati i tij mbrojtës deklaroi se ishte i pritshëm ky vendim i gjykatës pasi nuk kishte prova. "E kishim thënë nuk kishte prova për vrasjen", deklaroi avokati mbrojtës. Vendimi për pafajësinë e tij pason atë të pafajësisë së Kristina Marinajt i dyshuar si bashkëpunëtor i ish-deputetit Frroku.

"Unë e ndiej vetën të pafajshëm. Jam mbajtur padrejtësisht në burg për dy vjet. Dua vetëm të shkoj te familja ime. Kam besim te ju dhe drejtësia". Këto ishin fjalët e fundit të ish-­deputetit Mark Frroku, thënë në Gjykatë dje para se trupi gjykues i gjykimit të tij të tërhiqej në dhomën e këshillimit për vendimin përfundimtar. Përmes një materiali voluminoz, avokatët Vladimir Meçi dhe Tonin Prendi kërkuan pafajësinë e klientit të tyre, duke pretenduar se ai nuk ka konsumuar asnjë nga veprat penale për të cilat akuzohet. Në përfundim të avokatëve, ish- deputeti përsëriti edhe një herë faktin se nuk ka kryer asnjë vepër penale. "Kam dy vjet që mbahem në burg për vrasjen e një personi të cilin nuk e kam parë ndonjëherë me sy. Madje, as një foto të tij nuk kam parë", tha Frroku.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more