Skip to main content

Tirana Observer: “Emily Ratajkowski, e mrekullueshme me të kuqe në Los Angeles” plus 9 more

Tirana Observer: “Emily Ratajkowski, e mrekullueshme me të kuqe në Los Angeles” plus 9 more


Emily Ratajkowski, e mrekullueshme me të kuqe në Los Angeles

Posted: 22 Apr 2017 09:30 AM PDT

Emily Ratajkowski vazhdon të tregojë përse ajo është një ikonë e stilit dhe kulturës. Të premten 25 vjeçarja është shfaqur e mahnitshme ne eventin e Maria Claire dhe Maibelline në Californi, me personazhet e famshëm të cilat kanë qenë pjesë e kopertinave të revistës ndër vite, raporton 'Dailymail'. Modelja bukuroshe lindur në Londër, është shfaqur elegante dhe e gjitha me të kuqe, teksa ka pozuar për gazetarët dhe fotografët.

Zidane flet para Barcelonës: Titullin nuk e vendos “El Clasico”

Posted: 22 Apr 2017 09:16 AM PDT

Zinedine Zidane, trajneri i Real Madrid, u paraqit para mediave një ditë para "El Clasicco" kundër Barcelonës.

Ai tha se të tijtë nuk janë favoritë në këtë përballje, e cila pritet të përcaktojë dukshëm fatin e titullit në La Liga.

Referuar rëndësisë së një dueli të tillë, trajneri francez nënvizoi: "Kjo është një lojë mjaft e rëndësishme për ne, por edhe Barcelonën. Nuk jam këtu për të bërë parashikime, por pres që të vazhdojmë të bëjmë atë që jemi duke bërë.

Nëse Real Madridi fiton "El Clasico", e ka fituar kampionatin? Jo, aspak. Kjo është një ndeshje mjaft me rëndësi, por mbeten të luhen edhe shtatë të tjera deri në fund. Duhet ta kalojë me sukses "El Clasico", pastaj të shohim çfarë do të ndodhë në vazhdim.

Gareth Bale? Do të jetë me ne nesër. Hap pas hapi do të shohim nëse do të startojë nga fillimi, apo jo. Kemi ende vendime për të marrë, sa i takon formacionit.

Barcelona vjen e goditur nga eliminimi në Champions? Ka shumë njerëz që mendojnë se ne jemi më të sigurtë, referuar asaj që ndodhi të martën, por unë nuk i bëj llogaritë kështu. Jemi shumë të përqendruar në atë që duhet të bëjmë nesër. Nuk po mendojmë fare se çfarë do të ndodhë më pas, apo çfarë kemi bërë deri tani. Jemi totalisht të fokusuar te përballja e nesërme, ku do të japim maksimumin dhe do të kërkojmë fitoren.

Presioni është mbi Barcelonën? Unë nuk jam duke spekuluar mbi rivalin. Ne kemi një ndeshje direkte me rivalin kryesor për titull, që ka tri pikë më pak për momentin, ndaj do të përpiqemi të japim e marrim maksimumin. Tifozët, lojtarët dhe i gjithë klubi është duke bërë maksimumin për ta fituar ndeshjen.

A ka favoritë? Jo, sepse kjo është një lojë, ku ju duhet të luani, të luftoni e të punoni fort në fushë, për të fituar. Ne nuk jemi favoritë. Njerëzit nga jashtë mund të mendojnë kështu, por ne luajmë kundër një ekip të madh. Ne do të përgatisim çdo detaj shumë mirë, pa u bazuar në asgjë tjetër."

DETAJET E REJA/ Dosja e Prokurorisë: Dinamika e vrasjes në Vlorë

Posted: 22 Apr 2017 08:46 AM PDT

Janë zbardhur të tjera detaje, duke treguar me imtësi momentet që çuan në masakrën në Vlorë.

Prokuroria e Vlorës ka nxjerrë të tjera të dhëna mbi hetimet paraprake për vrasjen dy ditë më parë.

NJOFTIMI

Më datë 20 prill 2017, rreth orës 23:00, salla operative në Komisariatin e Policisë Vlorë ka marrë njoftim se në një lokal në lagjen: Uji i Ftohtë të qytetit, është vrarë një person me armë zjarri.

Pas marrjes se njoftimit sherbimet e Policise Gjyqesore kane shkuar menjehere ne vendngjarje dhe nga verifikimet e para ka rezultuar se eshte vrare me arme zjarri nje person ne ambjentet e Bar "Fiks-Fare", si dhe jane plagosur disa persona te tjera. Pas veprimeve te para viktima eshte identifikuar me gjeneralitetet, Ergys Gjioveshaj, i dtl. 1984, lindur ne Patos dhe banues ne Vlore. Te plagosurit jane shtetasit F.H, A. L. dhe A. Ll. Keta persona jane derguar per mjekim ne spitalin e qytetit te Vlores.

Me tej, Policia Gjyqesore ka vijuar me keqyrjen e vendit te ngjarjes dhe gjate kryerjes se ketij veprimi jane gjetur dhe sekuestruar me cilesine e proves materiale 18 gezhoja arme zjarri te kalibrit 7.62 mm dhe 14 mm dhe 4 te modelit 7.62, nje arme zjarri pistolete e markes MAGNIUM me 5 cope fisheke, e cila iu gjet viktimes ne trup, si dhe DVR-ja e kamerave te sigurise qe mbikqyrte ambjentet e lokalit.

Ne vijim, gjate keqyrjes se kufomes se shtetasit E. Gjeoveshaj u konstatuan ne trup 6 plage te shkaktuara me arme zjarri.

Ne vijim, Policia Gjyqesore ka vijuar me marrjen e te dhenave nga personat qe kane qene te pranishem ne vendngjarje. Pas pyetjes se tyre ka rezultuar se me date 20.04.2017, rreth ores 21.30 ne lokalin "Fiks-Fare" ishte organizuar nje mbremje me muzike live, ku ishte e ftuar kengetarja B. B., se bashku me grupin e saj. Njekohesisht ne lokal ndodheshin dhe persona te tjere qe ishin miq te kengetares.

Ne lokal ndodheshin dhe dy persona te tjere, njerin quhej Gani Tozaj, ndersa personi tjeter Arjanit Kondaj. Te dy keta ishin ulur ne ambjentin e brendshem te lokalit dhe kjo pjese ndahej me xham te tejdukshem me pjesen e jashtme te lokalit, ku dhe zhvillohej festa. Rreth ores 23.00 ne lokal vijne kater persona, te cilet fillimisht ulen ne pjesen e brendshme te lokalit, por pas disa sekondash bodigardi i lokalit u kerkon qe te ngrihen dhe te ulen ne pjesen tjeter, ku zhvillohej dhe festa.

Pas kesaj keta çohen te katert dhe ulen ne pjesen e jashtme te lokalit, ku nderkohe kamarieri u merr porosine. Pasi çon porosine kamarieri, dy prej tyre ngrihen nga tavolina dhe shkojne ne tavolinen ku ndodheshin shtetasit Gani Tozaj dhe Arianit Kondi, ne pjesen e brendshme te lokalit. Njeri prej tyre qe mbante veshur nje xhiboks te zi, ka goditur me pellembe ne fytyre Ganiun. Nderkohe Arjaniti u thote qe nuk keni pune ta godisni kete pasi eshte me mua.

Pas ketyre fjaleve, personi qe e goditi Ganiun godet me pellembe dhe shkelme ne bark Arjanitin. Nderkohe ne kete pjese te lokalit vijne dhe dy personat e tjere qe ishin fillimisht me ta. Ne kohen qe keta ishin duke shkuar, Arianit Kondi nxjerr nga çanta qe mbante varur ne sup nje arme pistolete dhe qellon me te disa here ne drejtim te trupit te personit qe e goditi me pellembe dhe me shkelma.

Ky i fundit bie ne toke dhe mundohet te largohet per ne pjesen tjeter te lokalit. Gjate kesaj kohe Arjanit Kondaj e ndjek nga pas duke e qelluar serisht me arme nga mbrapa. Nderkohe njeri nga personat qe shoqeronte viktimen ka nxjerr nje arme zjarri pistolete dhe ka gjuajtur disa here ne drejtim te shtetasit Arjanit Kondaj. Ky i fundit eshte larguar ne erresire se bashku me shtetasin Gani Tozaj.

Ne oret e para te mengjesit eshte bere e mundur kapja e shtetasit Gani Tozaj, ne banesen e shtetasit B. Kondaj, ky i fundit, vellai i shtetasit Arjanit Kondaj.

Ne vijim, Policia Gjyqesore ka bere arrestimin ne flagrance te shtetasit Gani Tozaj, si te dyshuar per vepren penale te "Vrasja ne rrethana te tjera cilesuese" ne bashkepunim, te parashikuar nga neni 79 germa (ë) dhe 25 te Kodit Penal.

Ndersa personi tjeter, Arjanit Kondaj, i dtl. 1979. Policia Gjyqesore ka bere shpalljen ne kerkim te ketij personi, si te dyshuar per vepren penale te "Vrasja ne rrethana te tjera cilesuese" ne bashkepunim, te parashikuar nga neni 79 germa (ë) dhe 25 te Kodit Penal dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve dhe municioneve luftarake" te parashikuar nga neni 278/2 te Kodit penal.

Basha: Duan të na blejnë me presidentin. Blushi: Me presidentin po bëhet pazar

Posted: 22 Apr 2017 08:25 AM PDT

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi nga çadra e protestës se mazhoranca kërkon të blejë opozitën me çështjen e presidentit.

"Shumica ka nxjerrë në treg presidentin. Presidenti është hedhur në treg për të blerë opozitën

Presidenti i përket popullit, do të zgjidhet me votë.

Rama dhe Meta kanë heshtur për propozimin e presidentit nga populli," tha Basha.

Por Blushi nga ana tjetër thotë se me presidentin po bëhet pazar mes Ramës dhe Metës.

"Zgjedhja e Presidentit po kthehet në pazar për të zgjidhur krizën brenda koalicionit qeverisës", tha kreu i LIBRA­s nga qyteti i Korçës.

Sipas tij, gjithë ky pazar po poshtëron figurën e kreut të shtetit.

"Kjo që po ndodh me Presidentin është fyerje dhe poshtërim për shqiptarët, të cilëve duan t'iu japin një President të pamerituar nëse do t'i japin një President para zgjedhjeve dhe sigurisht është një poshtërim për figurën e Presidentit.

Një poshtërim dhe nëpërkëmbje e  institucionit më të lartë kushtetues, që mund të përcaktohet 3 min para votimit. Rilindja po e kthen zgjedhjen e presidentit në pazar për të zgjidhur krizën brenda koalicionit. Po poshtërohet figura e presidentit për pazaret dhe aferat e koalicionit qeverisës", tha ai.

Përshkallëzimi i protestës së opozitës për Blushin do ishte mirë që të ishte vetëm një kërcënim dhe jo diçka serioze.

"Kriza duhet të zgjidhet me dialog dhe kompromis, pavarësisht se jemi ne limitet e fundit kohore. Kam pak shpresë se partitë e vjetra mund të gjenerojnë zgjidhje pa cenuar zgjedhjet, pa cenuar zgjedhjen e Presidentit, reformën në drejtësi, pasi ata kanë frikë nga drejtësia dhe ndëshkimi. Kriza duhet të zgjidhet me dialog, pasi çdo lloj kërcënimi qe vjen nga palët, do të cenonte stabilitetin e vendit".

Arsyeja pse zgjedhjet nuk do prodhojnë zgjidhje për Blushin janë 3 çadrat: Çadra e Rilindjes, e opozitës dhe çadra e LSI.

GARA FRANCEZE/ Si zgjidhet presidenti dhe pse Franca ka një sistem politik gjysëmpresidencial

Posted: 22 Apr 2017 07:57 AM PDT

Rreth 47 milionë zgjedhës janë thirrur të votojnë në turin e parë dhe në turin e dytë më 7 maj për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës franceze që do të pasojë presidentin socialist, François Hollande.

Si zgjidhet presidenti?

Presidenti zgjidhet me votim universal të drejtpërdrejtë, me sistem politik mazhoritar me dy ture, për një mandat pesë vjeçar.

Ai duhet të marrë mazhorancën absolute shprehur në një apo dy turet, kushdo qoftë përqindja e pjesëmarrjes.

Vota e bardhë, që mundëson shprehjen e refuzimit të zgjedhjes nuk njihet në Francë. Që prej një ligji në vitin 2014, këto vota numërohen të ndara nga votat nyl dhe të aneksuara si të tilla në proces verbalin e çdo qendre votimi, por ato nuk merren parasysh në llogaritjen e votave të shprehura.

Presidentët e mëparshëm janë:

2012-2017: François Hollande (socialist)

2007-2012: Nicolas Sarkozy (i djathtë)

1995-2007: Jacques Chirac (i djathtë) një mandat shtatë vjeçar dhe një pesëvjeçar

1981-1995: socialisti François Mitterrand, i cili ka mbajtur dy mandate shtatë vjeçare.

Cilët janë kandidatët?

Votuesit do të zgjedhin mes 11 kandidatëve, një më shumë se në vitin 2012, por pesë më pak se në vitin 2002, vit rekord në termat e kandidaturës.

Katër favoritët janë në një linjë: Marine Le Pen, 48 vjeçe (Fronti Kombëtar, ekstremi i djathtë), François Fillon, 63 vjeç (Republikanët, i djathtë) Emmanuel Macron, 39 vjeç (Në Lëvizje!, i qendrës) Jean-Luc Melenchon 65 vjeç (Franca e pamposhtur, e majta radikale), socialisti, Benoit Hamon, 49 vjeç.

Kandidatët e tjerë janë: Nicolas Dupont-Aignan, 56 vjeç, Jacques Cheminade, 75 vjeç dhe François Asselineau, 59 vjeç, Nathalie Arthaud, 47 vjeç dhe Philippe Poutou, 50 vjeç, deputeti Jean Lassalle, 61 vjeç.

Si zhvillohet votimi?

46,97 milionë zgjedhës janë regjistruar në listat zgjedhore, 1,3 milionë prej të cilëve jashtë Francës.

Rreth 66 546 qendra votimi do të hapen në orën lokale 08:00 (06:00 GMT) dhe do të mbyllen në orën 19:00 (17:00 GMT), një orë më vonë se zgjedhjet e mëparshme presidenciale. Në disa qytete të mëdha, qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00 (18:00 GMT). Votimi do të zhvillohet sot në Antilet françaises, në Guyane (Amerikën e Jugut), në Shën Pjetër dhe Miquelon (arkipelagu francez i Amerikës së Veriut) dhe në Polinesinë franceze (Paqësori i Jugut).

Më shumë se 50 000 policë dhe efektivë, mbështetur nga 7 000 trupa të operacionit Sentinelle (vendosur në mënyrë të përhershme në territorin kombëtar që prej atentave xhihadiste në muajin janar 2015 në PAris) janë mobilizuar.

Është hera e parë në historinë e Republikës së pestë që zgjedhjet presidenciale zhvillohen nën regjimin e gjendjes së urgjencës, vendosur në kuadër të atentateve të 13 nëntorit 2015.

Rezultatet?

Ligji francez ndalon publikimin e rezultateve, përveç atyre përsa i përket pjesëmarrjes, para mbylljes së votimit, të dielën në orën 20:00 (18:00 GMT) për të shmangur influencimin e zgjedhësve. Mbyllja e vonuar e qendrave të votimit vështirëson punën e instituteve të sondazheve, që do të kenë një orë më pak për të përgatitur vlerësimet e tyre duke nisur nga numërimi i pjesshëm.

Nëse pikët e kandidatëve në krye janë të ngushta, imazhi shumë i pritur u dy finalistëve të kualifikuar për turin e dytë, që shfaqet tradicionalisht në ekranet e televizionit në orën 20:00 (18:00 GMT), nuk është shumë i garantuar.

Turi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të përballë më 7 maj dy kandidatët e renditur në krye në turin e parë.

Asnjë kandidat nuk zgjidhet në turin e parë.

Betimi i presidentit të tetë të Republikës së pestë do të zhvillohet më 14 maj, data e përfundimit të mandatit të François Hollande.

Sistemi politik i Francës gjysëmpresidenciale

Sistemi i sotëm politik francez, i quajtur Republika e Pestë, daton qysh nga viti 1958 kur regjimi parlamentar i Republikës së Katërt u zëvendësua me një regjim gjysëmpresidencial.

Regjimi gjysëmpresidencial veçorizohet nga bashkimi i dy elementëve:

1- Një president i zgjedhur me votë universale dhe i veshur me kompetenca të rëndësishme;

2- Një kryeministër dhe një qeveri që përgjigjen para deputetëve të Dhomës Popullore të Parlamentit. Pra, sistemi gjysëmpresidencial ndërthur modelin institucional presidencial me atë parlamentar klasik.

Por çfarë i shtyu francezët që, pas një përvoje të gjatë me regjim parlamentar klasik (Republika e Tretë dhe e Katërt, në periudhat 1875-1940 dhe 1946-1958), të parapëlqejnë një sistem gjysëmpresidencial? Me siguri shtysën ua dhanë prirjet e përgjithshme të zhvillimit social-ekonomik bashkëkohor. Dinamizmi i tij kërkoi një ndërhyrje më të vendosur të pushtetit ekzekutiv të shtetit në ecurinë e jetës ekonomike-sociale, pra rritjen e rolit të ekzekutivit në krahasim me Parlamentin. Në një regjim parlamentar të bazuar në shumicë parlamentare të mjaftueshme dhe të qëndrueshme, si ai britanik, me dy parti, qeveria kish mundësi t'u përshtatej pa vështirësi kërkesash të tilla. Por kjo nuk ishte e realizueshme në regjimin parlamentar francez, që shquhej për temperamentin e ngutur të garuesve, për shumësinë e forcave politike dhe për brishtësinë e koalicioneve qeveritare, që sillte si rrjedhojë pafrytshmërinë e qeverive.

Në përputhje me nenin 5 të Kushtetutës franceze, "Presidenti është një arbitër i lojës politike; Presidenti i Republikës mbikëqyr respektimin e Kushtetutës. Me anën e arbitrimit të tij, ai siguron funksionimin e rregullt të pushtetit politik, si dhe të vazhdimësisë së shtetit".

Në ndihmë të këtij roli prej garanti dhe arbitri të lojës politike, vijnë prerogativat që i janë dhënë Presidentit, qoftë personalisht ose bashkë me përbërësit e tjerë të ekzekutivit, me Parlamentin dhe pushtetin gjyqësor.

Presidenti emëron kryeministrin, shpërndan Asamblenë Kombëtare, i dërgon mesazhe Parlamentit, tërheq vëmendjen e Këshillit Kushtetues në lidhje me ligjet dhe detyrimet ndërkombëtare që mund të bien ndesh me Kushtetutën; emëron 3 anëtarë, si dhe kryetarin e Këshillit Kushtetues, përdor kompetenca të jashtëzakonshme (sipas nenit 16) atëherë kur "institucionet e republikës, pavarësia e kombit, tërësia territoriale, kërcënohen në mënyrë të rëndë dhe të menjëhershme dhe po qe se funksionimi normal i pushteteve publike kushtetuese ndërpritet".

Disa nga këto kompetenca kërkojnë këshillim paraprak me kryeministrin ose me kryetarët e të dyja Dhomat e Parlamentit, por mjafton që ata të vihen në dijeni sepse Presidenti vepron edhe kur "këshilluesit" nuk shfaqen dakord.

Të tjera kompetenca janë të përbashkëta, pra ushtrohen nga Presidenti me kryeministrin ose me autoritete të tjera. Këtu kemi parasysh, ndër të tjera, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të qeverisë (me propozim të kryeministrit); thirrjen në referendum, drejtimin e Këshillit të Ministrave; të drejtën për falje të dënuarish.

Me përjashtim të kompetencave që ka (në kushte të jashtëzakonshme), në pajtim me dispozitat e nenit 16 të Kushtetutës, të gjitha kompetencat e tjera të Presidentit të Francës, në përgjithësi janë të ngjashme me ato të cilitdo kryetar shteti me regjim parlamentar.

Vajza e shpëtuar hebreje rikthehet pas 7 dekadash në Shqipëri: Nuk do të vdisja pa i takuar

Posted: 22 Apr 2017 07:16 AM PDT

Sonja Adishe ishte vetëm dy vjeç kur familja e saj e kërcënuar nga nazistët gjeti strehë në shtëpinë e Agostin Çiftjes në Shkodër. 74 vjet më pas, ajo rikthehet në Shqipëri për të takuar familjarët Çiftja që i quan "vëllezër".

Arben Velo | BIRN

Në fillim të verës së vitit 1943, Shalom Adishe e kishte ndarë mendjen: braktisi Prishtinën  e pushtuar nga nazistët dhe u nis drejt Shqipërisë. Bashku me gruan, Ninën dhe vajzën 2-vjeçare  Sonja, ai kaloi kufirin si klandestin dhe mesnatën e një mbrëmjeje qershori zbarkoi në rrugicën "Dogajtë e reja" të Shkodrës-ku ndodhej lokali i Agostin Çiftjes.

Çiftja, një burrë i gjatë me veshje të fisme po mbyllte lokalin kur i pa të ardhurit në rrugë dhe i pyeti shqip: Prej kah jeni?

Shalom Adishe (Adiže) nuk dinte të përgjigjej. Agostini i foli sërish në gjuhën italiane.

Pas një hezitimi, Shalom u përgjigj: Nuk jemi italianë, jemi hebrenj dhe kërkojmë një strehë ku të fusim kokën!

Shtatëdhjetë e katër vjet pas këtij takimi dramatik, Sonja Adishe ka udhëtuar bashkë me fëmijët dhe nipërit nga Izraeli në Shqipëri për të takuar familjen Çiftja që i shpëtoi.

Dy familjet i takuam rastësisht gjatë një dreke te "Mrizi i Zanave" në Lezhë.  Në krah të Sonjës është ulur Gjon Çiftja-i biri 84 vjeçar i Agostinit, i cili ka punuar si profesor i matematikës në Universitetin e Shkodrës. Ai ka ardhur në këtë takim me familjarët, të motrën Xhovana dhe bashkëshortin e saj.

Ndryshe nga Sonja që kujtimet i ka të treguara nga babai, Gjon Çiftja e mban mend kohën kur familja Adishe u strehua në shtëpinë e tyre.

"Kjo është streha eme. Ju do të flini në dhomën time të gjumit, ndërsa unë dhe gruaja e fëmijtë e mi do të rregullohemi në pjesën tjetër të shtëpisë", kujton ai t'u ketë thënë babai bashkëshortëve Shalom dhe Nina.

Shtëpia e tyre përbëhej nga dy dhoma dhe një kuzhinë. Jashtë mureve, era e ngrohtë e qershorit përcillte jehonën e këmbanave të kishave  dhe zërin e dalë nga minaret e xhamive.

"Kjo është Shkodra. Ju do të rrini këtu sa të doni dhe do të ndajmë gjithçka bashkë, në të mirë dhe në të keq", do t'u thoshte Agostini, ndërsa Gjoni asokohe vetëm 11 vjeç pohon se ishte dëshmitar i këtij çasti.

Sonja Adishe thotë se ka shumë respekt për Shqipërinë dhe se takimi me Xhovanën-motrën e Gjonit i ishte dukur sikur kishte takuar nënën e saj.

"U frikësova  nga vdekja andaj erdha," thotë e moshuara nga Izraeli.

"Tani e di që do të rroj, sepse takova njerëzit e mi," shton ajo ndërsa përlotet.

Emrat e familjarëve Çiftja gjenden mes shumë familjeve të tjera shqiptare në Yad Vashem, të njohur si "Të drejtë mes kombeve" nga Izraeli për kontributin e tyre në shpëtimin e familjeve hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sonja Adishe dhe familjarët e saj nga Izraeli duke parë fotografitë. Foto:Arben Velo

Në Mrizin e Zanave, familjet shohin fotografi dhe rikujtojnë atë mbrëmje qershori që i bëri miq. Pas kapitullimit të Italisë, komanda gjermane u vendos në të njëjtën rrugicë me shtëpinë e Agostin Çiftjes në Shkodër.

"Përballë shtëpisë së Agostinit dhe Jozefinës, ndodhej një ndërtesë 20 metra e gjatë dhe me 12 dhoma", kujtojnë familjarët.

Rreziku ishte fare afër dhe Shalomit iu desh të largohej sërish.

"Në rrugicë jetonin vetëm katër familje shqiptare. Gjermanët kishin dhënë urdhër që dyert e portave të shtëpisë të qëndronin të hapura. Kjo ishte tepër shqetësuese dhe e rrezikshme. Nga momenti në moment, gjermanët mund të futeshin në shtëpi dhe t'i gjenin miqtë aty", kujtojnë Gjon Çiftja.

Vendimi që ata morën nuk ishte i lehtë. Dy të rriturit duhej të largoheshin në zona rurale, ndërsa Sonja do të mbetej në shtëpinë e shkodranëve.

Deri në përfundim të luftës, burrë e grua qëndruan në Thumanë. Agostini u dërgonte ushqime dhe veshmbathje, ndërsa vajza rritej me fëmijët e tij, si pjesë e familjes. Kur gjysma e Shqipërisë u çlirua, Shalom Adishe dhe Nina vendosën të largoheshin nga Shqipëria.

Në pasaportën e falsifikuar shqiptare, emri i Shalomit u tjetërsua në Shaban, Nina mbajti emrin që kishte dhe po ashtu edhe Sonja. Vajza e vogël, e rritur në Shkodër u dërguar drejt prindërve në Thumanë  dhe që andej, ata udhëtuan drejt kufirit me Maqedoninë për të mbërritur më pas në Izrael.

Para se të ndaheshin, Agostini dhe Shalom shkëmbyen edhe pak fjalë- siç kujton djali i tij Gjoni. "Merreni këtë kuti duhani", do t'i thoshte në kohën e ndarjes Agostini-Shalomit.

"Unë nuk e pi duhanin, ti e di", u përgjigj Shalomi.

"Merre dhe mbaje si kujtim, por hape të shikosh çfarë duhani ke brenda", ia ktheu Agostini.

Brenda kutisë ishin mbledhur bizhuteritë që familja Adishe kishte lënë në shtëpinë e familjes Çiftja.  Ishte gjithçka që u kishte mbetur dhe kishin menduar t'ia linin Agostinit për ndihmën, por ai ua ktheu pas.

Takimi i dy familjeve në shtëpinë e Gjon Çiftjes në Shkodër.

Gati 73 vjet më pas, Sonja u rikthye në vendin ku kishte qenë foshnje për t'u treguar tre djemve të saj, Charli Shalom, Jakobin dhe Uri historinë e familjes së saj.

Për të arritur në këtë takim, ka patur mjaft rrethana rastësore dhe surpriza.  Sonja tregon se  është rilidhur me familjen shkodrane rreth viteve 1990. Nëna e saj Nina, kishte takuar në Izrael në një veprimtari kushtuar shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët  Refik Veselin, ndër të parët që u nderuan për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Pasi ai tregoi historinë e tij në atë takim, nëna i tha se një histori  të ngjashme kishte edhe ajo me një familje nga Shkodra. I rrëfeu ngjarjen. Shkruajti një letër dhe ia dorëzoi atij, duke i dhënë adresën e shtëpisë ku ishte strehuar. Sidomos rrugicën "Dogajtë e reja," kujton Sonja.

Pas mbërritjes në Shqipëri, Refik Veseli takoi Gjonin. Mes tij dhe Ninës filloi letërkëmbimi. "Janë 40 letra që nëna ime dhe vëllai i kanë shkruar njëri tjetrit," pohon ajo.

Gjon Çiftja tregon se kur Refiku i ka sjellë letrën e Ninës ishte emocionuar shumë.

"I shkrova shpejt e shpejt pas dhjetë ditësh," tregon ai.

Në vitin 1992, familja Çiftja u nderua në Izrael për shpëtimin e familjes Adishe.

"Jam krenar për këtë, por më krenar jam që takova motrën time. Është emocionuese. Nuk di ta përshkruaj", thotë për BIRN Gjoni.

Letërkëmbimi mes tij dhe Ninës vijoi edhe më tej, ndërsa rastësitë i lidhën edhe më fort dy familjet. Djali i Gjonit, që vazhdonte studimet në Hjuston të SHBA-së kishte takuar atje gruan e djalit të Sonjës, Jakobit. Bashkëshortja e Jakobit i kishte thënë se familjen e burrit të saj e kishte shpëtuar nga gjermanët në luftë, një familje me këtë mbiemër dhe ishin njohur bashkarisht.

"Edhe në Amerikën e largët, rrënjët tona u takuan", thotë Gjon Çiftja.

Ndërsa dëgjon historinë, Sonja Adishe përsërit se është e emocionuar që takoi "vëllanë dhe motrën" e saj nga Shqipëria.

"Nuk do të vdisja pa i takuar," përfundon ajo.

Nga Armir Shkurti/ I nderuar Basha, kam unë nja dy ide dhe asnjë ëndërr për Republikën e Re!

Posted: 22 Apr 2017 06:58 AM PDT

Pak ditë më parë, në faqen zyrtare të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha lexova këtë thirrje:

"Mirësevjen në lëvizjen popullore, demokratike dhe kombëtare për Republikën e Re. Na shkruaj edhe ti idetë e tua, ëndrrën tënde se si do që të jetë republika e re dhe çfarë duhet të ofrojë ajo për shoqërinë tonë, për gjithsecilin prej nesh."

Me vullnet të mirë po botoj edhe unë nja dy idetë e mia.

E para. Duhet ngritur edhe një herë flamurin dhe shpalljen e dytë të Pavarësisë së Shqipërisë.

Përfshi edhe ndryshimet e fundit kushtetuese që edhe PD ka votuar, Shqipëria ka dorëzuar një pjesë të rëndësishme të sovranitetit të vendit. Jo vetëm "dekriminalizimi" e reforma në drejtësi, por i gjithë legjislacioni, të gjitha reformat ekonomike dhe ecuria politike janë një projekt ndërkombëtar BE & SHBA. Nuk ka shans të nisë një projekt i ri politik për një republikë të re pa miratimin e tyre, ose pa shpalljen reale të pavarësisë prej tyre dhe rivendosje e plotë të sovranitetit kombëtar.

E dyta. Ndëshkimi i klasës politike të republikës së parë.

Si përgjegjëse për gjithçka Ju, zoti Basha, me të drejtë akuzoni në çadër, Ramën për hashashin, për 2.4 miliard euro shpërdorim etj. Por përtej llafeve, duhet ndëshkim. Sipas meje ai fillon që me zbatimin e rezolutave të institucioneve më të larta Europiane për dënimin e krimeve të komunizmit, deri tek zbardhja e çdo qindarke të politikanëve të çdo rangu e çdo punonjësi administrate. Një simbol shumë i dobishëm do të qe raportimi LIVE nga çadra, zoti Basha, i gjithë pasurisë tuaj dhe rrethit tuaj familjar e më gjerë, zbardhja dhe transparenca për mënyrën se si janë vënë ato dhe ftesa për ta bërë çdo përkrahës i republikës së re. Pas Jush, të gjithë ata që "gjenerata tjetër" e PD -së i quan "të vjetër". Le të vijnë gjithë pushtetarët demokratë 1992 e deri sot e të tregojnë si e blenë shtëpinë, pastaj atë të plazhit, pastaj makinën e parë, të dytë, shkollën e fëmijëve jashtë, biznesin e gruas, të kunatit…… Kush i ka të pajustifikuara të ikë me vrap ose ta dëbojë me hu çadra. Pas këtij pastrimi, e njëjta praktikë për gjithë krahët e politikës, duke përfunduar me SEKUESTRIM TË PASURIVE DHE PËRDORIMIN E TYRE PËR RIPARIMIN E DËMEVE EKONOMIKE E SOCIALE DHE ZBUTJEN E MJERIMIT.

 

E treta: investimi mbarëkombëtar për një sistem drejtësie me integritet, të pavarur, profesional dhe të mirëpaguar.

Të gjithë sistemit i duhet siguruar paprekshmëria dhe mirëqenia personale e profesionale si dhe ndëshkimi me sekuestrim të ÇDO pasurie dhe përfitimi në rast të kundërt. Natyrisht, ribërja e gjithë legjislacionit, duke nisur nga Kushtetuta dhe garantët e saj

Së katërti: Çrrënjosja e oligarkisë dhe riformatimi i tregut.

Pasuria e shqiptarëve sot është përqendruar në duart e pak njerëzve, të lidhur fuqishëm me politikën dhe mediat. Këta qeverisin de facto vendin. Ata kanë përfituar nga tenderat, nga prona publike, nga fonde e donacione, privilegje e lehtësi të pandershme e hera – herës kriminale, nga politikat e bëra enkas për ta prej politikanëve të blerë apo ortakë në këtë aventurë. REPUBLIKA E RE DUHET T'I PYESË PËR MILIONIN E PARË DHE QINDARKËN E FUNDIT! Nëse s'dalin një më një faturat, ajo ndërmarrje, pronë, agjenci, SEKUESTROHET. Natyrisht evazorët çohen pas hekurave , bashkë me "ortakët" që kanë mundësuar atë përfitim

Së pesti: vendosja e demokracisë në fillim në PD e më pas në gjithë Republikën.

Është emocionuese beteja dymujore për votën e lirë në Shtëpinë e Lirisë në Bulevard. Shpresoj shumë që ky mekanizëm të perfeksionohet në rradhë të parë brenda partisë, që nga zgjedhjet në seksione, deri në vendimet kolegjiale të Këshillit Kombëtar e Kryesisë, e tek marrja e vendimeve për kandidaturat për deputetë…

Ideja ime – meqë ma kërkon publikisht – është që tashmë PD-së , krahas Republikës së Re, i duhet një ideologji e re, doktrinë e re apo një qëllim i ri ekzistence. Kjo parti lindi si front antikomunist në vitin 1990 dhe ishte mrekullisht pozicion të saj deri në vitin 1996. Gjatë kësaj kohe u artikulua edhe termi "parti e djathtë", por qëndrimi ndaj pronarëve, ish të përndjekurve politikë migrimit të brendshëm etj ia hoqën kuptimin. Qeverisja 1992 – 1997 ishte një amalgamë politikash të majta me praktika të djathta ku vështirë të kuptosh ku nis njëra e ku bitiset tjetra. Pushteti 2005 – 2013 ishte "liberalist", por jo i djathtë.

E vërteta është se Partia Demokratike ka berishizmin si doktrinë, me të mirat dhe të metat e tij. Nga lufta te kompromisi, nga shtrëngimi te toleranca, nga absurdi te gjenialja, janë të gjitha brenda logjikës së kësaj doktrine, të përfaqësuar dhe udhëhequr në 27 vite nga Sali Berisha dhe ata që ia kanë dalë ta ndjekin në këtë linjë. Sot shumë kushte kanë ndryshuar, përfshi edhe kryetarin e PD-së. Që nga antikomunizmi që nuk mund të jetë më ideologjia bazë e kësaj force, tek konfigurimi i gjithë forcave të tjera. PS, LSI, PDIU, PAA, PR etj i kanë lënë të vetmen mundësi, gjetjen e një pozicioni të djathtë në spektrin politik. Të tjerat janë zënë, që nga pragmatizmi deri tek dhimbsuria sociale. Rama ka shkatërruar shtresën e mesme, që natyralisht mbështetet nga një parti e qendrës së djathtë. Pronarët dhe ish të përndjekurit vazhdojnë prej 27 vitesh kalvarin dhe kanë nevojë për një forcë të djathtë të fuqishme e serioze. Fitorja e Trump në SHBA dhe era që po sjell ajo edhe në Europë po detyron rikthimin në vëmendje të nocioneve "të harruara" të kombit, atdheut etj.

Kjo është ndërmarrje gjigande, që duhej të përfshinte krejt burimet njerëzore t ë PD-së, me sekretarë e drejtorë, me kryesi e departamente, deri tek individë të paangazhuar që janë gati të kontribuojnë. Nëse këto janë në proçes, kërkoj ndjesë për injorancën time, por nisem nga çka shoh: 4 -5 njerëz që thonë nga një gjë në çadër, para se Basha të marrë mikrofonin e t'i numërojë ditët Ramës.

Këto janë, modestisht, nja ca idetë e mia. Jam shumë kurioz të mësoj ato të Bashës. Deri këto çaste nuk kam lexuar a dëgjuar asnjë platformë konkrete. Por besoj fort që ai e ka një të tillë, ama në fillim po na mbledh ne mendimet, idetë e ëndrrat, të dlira, të pandikuara nga çka ai duhet të ketë punuar. E besoj fort se Basha e ka platformën e Republikës së re, se përndryshe kjo s'do të qe tjetër veç mashtrimit "rilindja" të Ramës. Jo rrallë politikanët prodhojnë ëndrra kolektive me fjalë e terma të mëdha, për të habitur turmar, siç Rama bëri me ambalazhin bosh të quajtur "rilindja".

“Kërcënimet e PD-së për bllokimin e rrugëve çojnë në dhunë, si në ’97-ën”

Posted: 22 Apr 2017 06:34 AM PDT

Partia Socialiste ka paralajmëruar sot Partinë Demokratike se kërcënimet për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që çon vendin pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n.

"Është koha që Basha të mësojë se: Ai që bënte thirrje vetëm pak ditë më parë për të thyer dritaret e për të shpuar gomat, nuk mund të pretendojë krejt papritur e pakujtuar se është thjesht një qengj i pafajshëm. Çadra e Bashës e ka vonuar mjaft tashmë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga drejt BE-së.

Kërcënimet e tij për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që na çon pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n. Ne nuk do ta lejojmë PD-në t'u marrë peng të ardhmen shqiptarëve. Në 18 qershor qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin për zgjedhjen e tyre", tha Partia Socialiste në një deklaratë për mediat.

Varësia ndaj celularit është sëmundje dhe ja cilat janë pasojat

Posted: 22 Apr 2017 06:16 AM PDT

Me zhvillimin e teknologjisë, shumë të rinj duket se janë të varur pas telefonave të zgjuar. Dhe ekspertët tani zbulojnë se kjo varësi është sëmundje.

Ajo quhet "nomofobia", sikurse përkufizohet frika obsesive se nuk mund të jeni të arritshëm në celular, për më tepër prek të rinjtë nga 18 në 25 vjeç, me vetëvlerësim të ulët dhe probleme në marrëdhënie.

Ata që janë të prekur mund të provojnë gjendje të vërteta ankthi, me marrje mendsh, dridhje, mungesë të frymëmarrjes dhe rrahje të shpejta të zemrës në rast të mungesës së rrjetit apo të telefonit jashtë përdorimi.

Për ekspertët fenomeni i "nomofobisë" lidhet me përdorimin e shpeshtë të rrjeteve sociale.

Abuzimi me ato mund të sjellë në izolim.

Madje sipas studimeve të ndryshme, 6 të rinj në 10 shtrihen në shoqëri të "smartphone"-it dhe më shumë se sa gjysma e përdoruesve kanë tendencë që të shfaqin gjendje ankthi kur mbeten pa bateri, kredite apo mbulim të rrjetit.

Pse nxënësit e shkëlqyer dështojnë në jetë?

Posted: 22 Apr 2017 05:37 AM PDT

Duam të jemi të suksesshëm në shkollë pasi siç na kanë thënë është prova e parë që do të kemi sukses edhe në jetë.

Disa prej nesh kanë rënë në dashuri me notën dhjetë! E duam atë sepse jemi të interesuar që një ditë të kemi një karrierë profesionale, një shtëpi komode dhe respektin e të tjerëve.

Por jo pak herë, në fakt më shumë seç duket, ndodh diçka shumë konfuze: shohim njerëz që kanë shkëlqyer në shkollë, por kanë bërë një vrimë në ujë me jetën e tyre. Ose e kundërta.

Yjet që dinin si t'i kënaqnin mësuesit e tyre tani mund të jenë duke u përpëlitur një zyrë ligjore apo diku në qytete provinciale. Rruga e suksesshme që i tregohej kur merrnin nota të shkëlqyera, tashmë duket thjesht iluzion.

Në fakt nuk duhet të çuditemi: kurrikulat shkollore nuk janë të hartuara domosdoshmërisht nga persona që kanë shumë eksperiencë ose talent në jetë. Ato janë të ndikuara nga forca të ndryshme përgjatë historisë: që nga kurikulat e manastireve mesjetare, disa ide të pedagogjisë gjermane të shekullit XIX dhe konceptet e aristokracisë mondane.

Gjithë kjo panoramë na ndihmon të kuptojmë shumë nga zakonet e gabuara që shkolla rrënjos:

-Shkolla na thotë se shumica e gjërave të rëndësishme dihen tashmë. Nuk nxisin mendimin kreativ dhe dëmtojnë thellë origjinalitetin.

-Shkolla kërkon që ne të ngrejë dorën dhe mësuesit të zgjedhin. Kërkojnë që ne të marrim leje te të tjerët.

-Shkolla na kërkon të rishpjegojmë ide apo teori dhe jo të krijojmë.

-Shkolla na mëson gjithçka përveç dy elementeve thelbësore në jetë: të dish si të zgjedhësh profesionin e duhur dhe të dish si të krijosh marrëdhënie të qëndrueshme. Janë të interesuar të na mësojnë latinisht apo se si masim perimetrin e një rrethi, përpara se të na mësojnë këto dy subjekte thelbësore: Punën dhe Dashurinë.

***

Një jetë e mirë na kërkon të bëjmë dy gjëra të ndërlikuara dhe të kundërta: të jemi një djalë apo vajzë e mirë për 20 vite dhe më pas mos të marrim seriozisht dhe të mos besojmë gjithçka që na është kërkuar të mësojmë me detyrim.

Po na detyrojnë që të arrijmë suksesin vetëm me anë të një mënyrë: së jashtmi të jemi thellësisht të bindur dhe riprodhues, ndërsa së brendshmi të jemi inteligjentë dhe rebelë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more