Skip to main content

“Tashti ndaleni vetveten!” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Tashti ndaleni vetveten!” plus 3 more Telegrafi Opinione


Tashti ndaleni vetveten!

Posted: 17 Jan 2017 05:03 AM PST

Ai tren, domosdo duhej të ndalej në kufi! Nuk ka nevojë për kurrfarë euforie as ekzaltimi fëmijëror!

Vendimi për të mos lejuar futjen e trenit nga Serbia, të shkarravitur me parulla nacionaliste, si dhe dërgimi i njësitit ROSU për të mbrojtur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës – është obligim, përgjegjësi zinxhirore e hallkave të shtetit.

Vetëlëvdatat e disa liderëve (unë dhash urdhër); euforia e servilëve të tyre nëpër rrjetet sociale (të lumtë); patriotizmi me duar-shqiponjë i disa policëve të njësitit ROSU (i panevojshëm, nëse fotoja nuk është montazh); fotografia e kabinetit qeveritar në momentin e "ndaljes" së trenit serb-rus (imitim i keq i kabinetit të presidentit amerikan kur u krye vrasja e kryeterroristit Osama Bin Laden); por edhe ekzaltimi i RTK-së (Bravo Policia) – shpërfaqin edhe më shumë papjekurinë e shtetit të Kosovës.

Nuk është kohë lufte për të shitur moral. Nuk ka arsye të lavdërohen asnjë prej këtyre liderëve, për punën që është dashur ta përfundonin vite më parë. As Policia, që kreu një detyrë, e cila me ndërhyrje të politikës ka anashkaluar shumë të tjera deri tash. Është herët të ndjehet serioziteti i këtyre institucioneve, tepër herët t'ju besohet atyre që vranë shpresën e shumë qytetarëve gjatë këtyre 17-18 vjetëve. Është koha për punë, ndryshe papjekuria politike mund t'ju kthehet bumerang siç ka ndodhur shpeshherë deri sot!

Fqinjët tanë, serbët, e mbajnë gënjeshtrën për pasuri kombëtare! Politikën e kanë fort të poshtër. Me gënjeshtra mbulojnë mjerimin e shtetit të tyre. Por, kur është puna te paraja, një pjesë e klasës sonë politike është po aq e pamoralshme sa edhe ajo e fqinjëve tanë! Përpiqet ta mbulojë turpin e vet me heshtje ose llafe patriotike edhe në momentet kur politika e Serbisë i kanoset me luftë Kosovës.

Në vitet '80-'90 të shekullit të kaluar, në televizionin shtetëror serb, RTS, pothuajse të gjitha lajmet nga Kosova mbuloheshin me pamje të një xhamie e një burri me plis, i hipur mbi gomar, që kalonte aty pranë. Çdo paragraf fillonte e mbaronte me fjalët “terroristët” apo “fundamentalistët” shqiptarë. Politika serbe inskenonte dhe kryente edhe krime të rënda ndaj serbëve të Kosovës ("Rasti Panda"). E bënin për t'ua mbështetur krimet shqiptarëve dhe për të "arsyetuar" më pas masakrat ndaj tyre.

Edhe sot, trillimet se "shqiptarët mund të vrasin serbët" rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan! Politika serbe është ajo e djeshmja, që kreu gjenocid ndaj shqiptarëve për më shumë se një shekull. Aktorët janë të njëjtë. Daçiqët, vuçiqët, nikolliqët, sheshelët, po përpiqen të inskenojnë rreziqe që mund t'iu vijnë serbëve prej shqiptarëve. Pasardhësit e politikës së Sllobodan Millosheviqit, trillojnë, japin para, janë të gatshëm të vrasin përsëri serbë kosovarë, vetëm që t'i përlyejnë shqiptarët me krime, urrejtje ndëretnike, ekstremizmin islamik dhe terrorizmin, që të paktën ta ndajnë Kosovën.

Prandaj, liderët institucionalë të Kosovës, në vend të euforisë është mirë të ndryshojnë qeverisjen! Kjo do të ndryshonte edhe qasjen e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, një mekanizëm që për të mos prishë qetësinë e brishtë me Rusinë, flirton me një shtet antiperëndimor siç është Serbia.

Kërkesa e fundit, që Kosova dhe Serbia përmes komunikimit të zgjedhin rastin e arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë, me fletarrest të lëshuar në Beograd, tregon më së miri dyfytyrësinë e Bashkimit Evropian. Një pjesë e këtij mekanizmi kurrë nuk ka dashur ta dijë të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, pjesa tjetër, shtetet mike brenda këtij unioni, ka një kohë që kanë zgjedhur të heshtin, ngase janë zhgënjyer me dhjetëra herë që prej vitit 1999, nga Kosova, Shqipëria, shqiptarët!

Një pjesë e mirë e politikanëve të Kosovës kanë vjedhur paranë publike, por assesi nuk e pranojnë se korrupsioni ka zvogëluar mbështetjen e aleatëve, ka shtuar papunësinë, ka pjellë varfëri, migrim ilegal dhe ekstremizëm fetar (duke e gozhduar Kosovën në udhëkryq, ditën me Perëndimin, natën me Lindjen). Me dhjetëra zyrtarë, ish zyrtarë, biznesmenë, mjekë, profesorë, do të duhej të ishin në burg për korrupsion e krim të organizuar, por nuk janë! Sepse, drejtësia është kapur prej tyre, derisa shumë prokurorë e gjyqtarët janë të korruptueshëm, servilë, pa guxim, lepuj me kostume burrash.

“Këtu janë të gjithë (politikanët) hajdutë dhe unë vetë nuk e kuptoj sesi mund të japin konsensus për një punë që do t'i fusë në burg”, kishte thënë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili i raportonte Sekretarit të Shtetit, John Kerry, për zhvillimet në Shqipëri, në veçanti rreth përpjekjeve të tij që të imponojë reformimin e drejtësisë shqiptare (Kabllogrami i WikiLeaks). Prej dashamirësisë për Shqipërinë e zemërimit me politikanët e saj, Lu herë pas here në fjalimet e tij kishte përdorur ironi të tepruar, duke krahasuar shqiptarët me një tufë delesh të rrethuar nga hijenat (politikanët).

Edhe në Kosovë, ambasadori britanik, Ruairi O'Connell, javë më parë sugjeroi miqësisht të largohen kriminelët nga institucionet. Prandaj, sot është koha që shqiptarët, sidomos liderët kosovarë të mos shtireni sikur korrupsioni dhe krimi i organizuar është vetëm perceptim, derisa të gjithë të tjerët, qytetarët, aleatët, diplomatët e vendeve mike dhe organizata të shumta ndërkombëtare, e shohin si burim të çdo të keqe tjetër në Kosovë (e Shqipëri)! Është koha të arrestohen të paktën ata 30-50 zyrtarë, ish zyrtarë dhe biznesmenë të Kosovës, për të cilët Prokuroria ka prova të bollshme se janë të korruptuar dhe të përfshirë në krim të organizuar.

Sot, në botën e internetit, manipulimi dhe propaganda nuk mbijetojnë gjatë. Nëse liderët e duan Kosovën, besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, të aleatëve, është koha të pushojnë së shtiruri sikur po punojnë. Nuk është aspak e rëndësishme kush prej liderëve ishte më i zëshëm të ndalet ai tren, apo kush prej tyre do të jetë më i zëshëm në rrëzimin e atij muri në Mitrovicë! Dihet kush vendos kur kemi të bëjmë me Serbinë! Shtetet mike, Shtete e Bashkuara! Andaj, në vend të euforisë së pavend, liderët kosovarë duhet t'ju tregojnë qytetarëve, miqve dhe armiqve, sidomos politikës së Serbisë, se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura njëmend të ndërtojnë shtet të së drejtës, janë për fqinjësi të mirë, dhe se tash e tutje as treni as korrupsioni nuk mund të kalojnë!

The post Tashti ndaleni vetveten! appeared first on Telegrafi.

Ishte tren apo ishte “voz”?

Posted: 17 Jan 2017 04:56 AM PST

Çfarë ndodhë me një lepur kur e kalon kufirin? Kështu i pyesnin dikur fëmijët për të testuar inteligjencën e tyre, dhe për të bërë pak shaka me ta. Nuk është aspak shaka, do të thoni me të drejtë. Kufiri me Serbinë asnjëherë nuk ka qenë shaka. Nëpër histori, ai kufi ishte shtyrë me qindra kilometra në jug dhe fëmijët nëpër shumë gjenerata janë rritur me rrëfime për familjet e tyre refugjate të cilat kishin ikur para zjarrit që ushtarët serb u vinin shtëpive të tyre.

Fëmijëri e kaluar, me rrëfime për ikjen e parë, të dytë, tretë… dhe kolonët e panumërt që i sillnin në mbrojtje të shtetit, për të krijuar strukturën etnike të parapëlqyer.

E fëmijët si fëmijë, përgjigjen secili ndryshe, duke futur në lojë imagjinatën e tyre, që përziheshin me dy ngjyrat e thjeshta të qilimave, ku kombinohej gjaku dhe nata. Gjithnjë ndodhte natën!
Zakonisht asnjëri nga fëmijët nuk e qëllonte përgjigjen e saktë, madje as ata që e dinin. Edhe ata nuk përgjigjeshin, por prisnin për të dëgjuar përgjigjen e preferuar të prindërve dhe për të qeshur me naivitetin fëmijëror rreth identitetit, kufirit, atdheut, të cilin e morëm me vete në bisht të qerres, në bisht çiftelie apo lahute sa herë që na u desh të tërhiqeshim në "pozicione" të reja kombëtare, më në jug apo më në Perëndim.

"E ndërron emrin, pra", përgjigjeshin vet prindërit, asokohe kryesisht analfabetë, për të treguar se kufiri nuk është veç politik po në radhë të parë është çështje gjuhësore. Një lepur kur kalon nga Kosova në Serbi, pra, fillimisht e ndërron emrin. Nuk quhet më lepur, por quhet "zec"!

Lepuri si lepur, natyrisht, nuk do të ia di se si e quajnë. Brenga e tij e vetme është të mos përfundojë në çantën e ndonjë gjahtari, por fëmijët e kanë problem, sepse ata si kudo tjetër në botë, fillimisht e mësojnë gjuhën e tyre.

Kështu, derisa jemi ende te lepuri dhe hallet e tij me gjeopolitikën, duke iu referuar historisë së rrëfyer brez pas brezi, lepuri, hiq më shumë se para dy shekujsh, as kur e kalonte qytetin e Nishit, në drejtim të veriut, ende nuk e ndërronte emrin, por vazhdonte të quhej lepur.

E keni kuptuar, pra të dashur lexues, se këtu bëhet fjalë për qytetin e Nishit, pikërisht atë ku pak muaj më parë u mbajt samiti aq i medializuar serbo-shqiptar, në qytetin i cili dikur fliste gati krejtësisht shqip, për çka vështirë se qeveritarët shqiptarë të kenë qenë të informuar. Ose nuk donin të dinin. Fundja, ne jemi më të shpejtë se historia. Le të përsëritet ajo sa herë të dojë …!

Kështu, pas lojës me shtyrjen e kufijve në jug, ndërrimit të strukturës së popullsisë, gati dy shekuj më vonë, falë delegacionit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, dhe gazetarëve shqiptarë, në Nish sërish duhet të jetë dëgjuar fjala shqipe nëpër rrugë, me kusht që ata të mos kenë folur mes vete në anglisht, për të u treguar më "in" dhe për të mos provokuar qytetin e vjetër dhe nikoqirët me shqipen e tyre.

Mediat nuk raportuan, nëse gjatë këtij samiti kryeministri Rama ka përmendur ndonjëherë fjalën lepur apo se si e ka quajtur, por ka shumë gjasë që të ketë përmendur fjalën "tren". Kështu vijmë te titulli i sotëm, falë marrëveshjeve të negociuara në Nish, ku përpos hekurudhës e cila vetëm sa ishte përmendur, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat ende nuk i kemi lexuar, të plota, as në shqip, as në serbisht, dhe as në gjuhën më popullore ndër shqiptarët, pra në anglisht. Me pak fjalë, marrëveshjet duket se tashmë janë bërë në Ballkan dhe ne po e jetojmë vetëm vënien e tyre në skenë. Herë me tren e herë me voz?

Shumëkujt i dukej sikur një film me një skenar të lodhët, sikurse ishte edhe reagimi i të gjitha (super)fuqive të lodhura tashmë me konfliktin e "ngrirë", i cili kurrqysh të shkrihet dhe të zgjidhet. Keni parasysh që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në Qipro, kanë filluar në fund të viteve të gjashtëdhjeta. Ende nuk janë… normalizuar.

Por, të kthehemi në temë. Njëjtë ndodhë edhe me "trenin". Posa kalon andej, shndërrohet në "voz". Kështu do të ndodhë edhe një kohë të gjatë, edhe kur kufijtë të jenë hequr fare. Lepuri mbetet lepur, e vozi mbetet voz. E kur ky "voz"-i është rus, atëherë edhe rrëfimi ynë i sotëm merr konotime krejt të tjera. Edhe "shakatë" e gjysheve për lepurushin veshgjatë marrin ngjyrat e qilimave tradicional, pra të frikës nga shpërnguljet e reja në jug apo në perëndim.

Pra, ishte tren apo voz? Emrat, luajnë rol të jashtëzakonshëm në gjeopolitikë. Jo vetëm toponimet, por edhe emrat e gjallesave apo sendeve si është rasti në këtë rrëfim tonë. Dikur kur të huajt që e vizitonin Kosovën flisnin me metafora, një albanolog i huaj e kishte pyetur një intelektual lokal se përse ne shqiptarët në të shkruar e përdorim fjalën tren, e jo voz, edhe pse ato kanë të njëjtin kuptim?

"Sepse treni ynë, është nisur për Evropë, e jo për Beograd", qenka përgjigjur ai. A po shkon për në Evropë, treni i shqiptarëve? Po "vozi" serb, kah po shkon?

Për të përmbledhur situatën, ende nuk po dihet se kush në të vërtetë i ra pipit që ai të niset, prej Beogradi drejt Mitrovicës! Dikush thotë se "vozin" ja nisën rusët, Vuçiqit, përmes njerëzve të tyre në Beograd. Dikush thotë se e nisën krahu radikal rreth presidentit serb Nikolliq, i cili pas kthimit të "voz"-it, kërcënoi se është i gatshëm të dërgojë edhe ushtrinë në Kosovë për të mbrojtur serbët, të cilët në anën tjetër, sipas medias serbe luten që "vetëm luftë të mos ketë" sërish .

Disa të tjerë thonë se e nisën forcat informale, të cilat edhe në Serbi duket se janë shtet brenda shtetit, për dallim prej Kosovës ku janë në pushtet. Mafia serbe sipas disa komentuesve donte të mbrojë bastionin e sajë në veri të Kosovës, ku vepron e papenguar as nga Kosova as nga Serbia. Dilemat, pra, ende do të vazhdojnë, bashkë me politikën kosovare e cila po debaton për të kundërtën, pra po debaton se kush e ndali vozin. Derisa në Serbi debatohet se kush e nisi, në Kosovë po ndodhë e kundërta.

Njëmend, kush e ndali "voz"-in? Çfarë thoni? Shaka është kjo? Presidenti thoni?

Nëse më pyesni mua, ua them: krejt kjo ishte test. Testi tjetër pritet në shkurt. Me 15 shkurt. Veç dy ditë përpara ditës së pavarësisë, serbët me shumë gjasë do të shpallin një pavarësi të tyre, nga pavarësia.

Si do të reagojnë SHBA, BE, Rusia, Turqia ? A mund të thyej kjo krizë, e krijuar me plan, vetë procesin e bisedimeve në Bruksel?

Vërtetë mendoni se trenin e ndali… ai? Vërtetë, ishte tren apo ishte "voz"?

The post Ishte tren apo ishte "voz"? appeared first on Telegrafi.

Individualizmi, fryma e Liberalizmit!

Posted: 17 Jan 2017 04:48 AM PST

Xhevat Sefaj

Koncepti mbi natyrën e njeriut si individ brenda suazave të evoluimit të tij si qenie shoqërore biologjike dhe psikologjike. në radhë të parë është shumë kompleks. Ajo që e bën aq kompleks një përkufizim të tij të saktë mbi individin, është fakti se nuk është vetëm liberalizmi që merret më studimin e individit, por janë edhe një mori shkencash të tjera, duke filluar nga filozofia, sociologjia, psikologjia, shkencat natyrore etj. Ky është ai diskursi që rrezikon t'i japë një kuptim relativ konceptit individualist.

Vështirësinë për një saktësim të individualizmit e theksuan Pierre Birnboun dhe Jeon Leco – teoricienë francezë. Ata dalluan, në këtë drejtim, tri kuptime: Individualizmin Sociologjik, Metodologjik dhe Etik, ku termi i fundit etik mbetet, në mënyrë kuptimplotë, pjesë e një terminologjie më të pasigurt. I pari karakterizon mënyrën e sjelljes, ndërsa i dyti shërben për të shpjeguar proceset shoqërore", (Ory. Paskal, "Historia e re i ideve politike" sh. b. Dukagjini, Pejë. 2008 fq. 515). Nga kjo shihet qartë se këta studiues e ndajnë individualizmin sociologjik dhe metodologjik nga ai etik, i cili përben një sistem ideologjik që i gjykon institucionet e një shoqërie mbi bazën e aftësive të tyre për të mbrojtur të drejtat e individit ndaj gjithçkaje që përpiqet të kufizojë hapësirën e tij.

Të gjithë liberalët klasikë që insistonin për mbrojtjen e lirisë individuale që mund ta përkthejmë si mbështetje e institucionit të pronës private dhe ekonomisë se tregut, mirëpo prona private i shqetësonte marksistët dhe socialistët dhe ndoshta bëri që shkollat moderne të rishikimit të mendimit liberal të shprehen se të drejtat mbi pronën nganjëherë duhet të shtypen që të kënaqin kërkesat e të drejtave të tjera, duke përfshirë edhe të drejtat pozitive.

Këtë koncesion të liberalizmit rishikues, studiuesi Xhon Gray e kundërshtoi për arsye "se prona private është mishërim i lirisë individuale në formën e saj më të hershme, dhe liritë e tregut janë përbërëse të pandashme të lirive themelore të njeriut… Për këdo , të ketë pronë nën zotërim, do të thotë se ai zotëron talentin, aftësinë dhe punën e tij. Nëse nuk kënaqet kjo kërkesë e vetë pronësisë, qeniet njerëzore bëhen pasuri e paluajtshme- pasuri e tjetrit (si në institucionin e skllavërisë) apo vetëm burim për bashkim', (Gray. John, "Liberalizmi' vepra e cituar fq. 92-93).

Milli në veprën e tij ''Mbi Lirinë" supozonte se njeriu dallohet nga gjallesat e tjera përmes aftësisë së tij për shmangie racionale mbi veprimet e tij. Milli e paraqiti individualizmin si një ideal që duhet ndjekur. Për ta arritur këtë gjendje ideale është e nevojshme sigurimi i lirisë: liria e shprehjes se mendimit dhe dëshirave, si dhe liria e rishqyrtimit të tyre. Qëllimi i përmirësimit të individit është përmirësimi i shoqërisë, sepse sa më e lartë të jetë shkalla e individualitetit, aq më e lartë besonte Milli arrihet shkalla e civilizimit të shoqërisë.

Njeriu vjen në jetë si individ, mirëpo e kalon jetën në mesin e anëtarëve të tjerë të shoqërisë, që i mundësoi atij formimin e personalitetit. Koncepti personalitet u huazua prej mendimtarëve spirtualist, në trashëgiminë juridike dhe kantiane, ku personi ishte pjesë e gjuhës teatrale me maska, pastaj merrte rolin e më pas aktronte. Mirëpo, "ishte Ciceroni ai që shprehjen 'persona' e sublimoi në kuptim të maskës se karakterit, me të cilin çdo njeri u paraqitet të tjerëve" (Agani.Fehmi,dhe Hyseni, Agim, 'Sociologjia" sh.b. Libri shkollor Prishtinë 1999 fq. 45,46). Kjo ishte arsyeja pse Hajeku e quajti Ciceronin themelues të liberalizmit, sepse Ciceroni që në botën antike e kishte sublimuar shprehjen e individit, edhe pse jo në kuptimin e një individualiteti qenësor, të personalitetit. Ky është roli të cilin individi e luan në jetë, pra bartës i rolit dhe dinjitetit të veçantë që e ka, sikurse artisti.

Duke u nisur nga kuptimi i fundit, nocioni me tutje nënkupton qytetarin qe ka lindur i lirë si person juridik, ndryshe nga roli i aktorit. Kjo nënkupton se individit i bie të ketë role të caktuara njerëzore, brenda kushteve shoqërore në të cilat jeton", (Po aty fq, 46). Mirëpo, nga pikëpamja filozofike e morale individi është i ndarë nga "personi", personi cilësohet si më specifik për arsye të vetëdijes për vetveten dhe për anëtaret e tjerë të shoqërisë, të arsyes dhe aftësive të tjera kuptimore, të aktivitetit të tij teorik, praktik dhe krijues.

Nga kjo pikëpamje personi është diçka specifike në raport më natyroren dhe njerëzoren. Sikurse individi që është karakteristik për botën natyrore, organike po ashtu edhe personi është karakteristik për botën shoqërore, njerëzore.

Sipas Kantit, "Personi është një subjekt që është i aftë të vlerësojë aksionet e veta", (Murtezai. Ekrem, "Fjalor I Filozofisë" sh.b. Dukagjini, Pejë 1955, fq. 553), Pra derisa individi na është i dhenë si qenie natyrore organike, personi është i parashtruar , pra në kuptimin pozitiv, diçka që formohet me punë, edukim, që ia ka dal të ngrihet mbi natyrën, biologjiken dhe të ngërthej në vetvete njerëzoren.

The post Individualizmi, fryma e Liberalizmit! appeared first on Telegrafi.

Pasojat e vonesave në ndërtimin e Termocentralit “Kosove e Re”

Posted: 17 Jan 2017 02:14 AM PST

Agim Perolli

Edhe pse Kosova vlerësohet si një ndër vendet më të pasura në botë me linjit, ne ende vuajmë nga mungesa e energjisë elektrike. Situatën në të cilën gjendemi tani, ekspertët e kanë paraparë menjëherë pas luftës. Qysh nga viti 2000 janë bërë studime të ndryshme për parandalimin e mungesave të mëdha të energjisë, kërkesa për të cilën për çdo vit  janë rritur me progresion gjeometrik. Kanë defiluar nëpër Kosovë gjatë këtyre viteve shumë ekspertë botëror te involvuar neper konzorciume të ndryshme duke menagjuar me Elektroekonominë e Kosovës. Dhjetëra studime të fizibilitetit nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme që të vazhdohet me inplementime definitive të projekteve. Pas çdo ndërrimi të qeverisë ndërrohej edhe strategjia e zhvillimit të sektorit elektroenergjetik.

Si rezultat, e kemi situatën e tanishme. Aktualisht 85% e konsumit të pergjithshëm të energjisë elektrike varet nga prodhimi i thëngjillit.

Në këto kushte të rënda atmosferike, KEDS-i nuk mund t'i përballoj sfidat që na në menaxhimin e një rrjeti të stërvjetëruar dhe të varur nga importi i energjisë. Ditë për ditë konsumi është duke u rritur gjerë në nivelin rekord të të gjitha kohërave duke arritur vlerën ditore  28000Mw (1166Mw/h). Për ta realizuar këtë prodhim është dashur që në  menyrë të pandërprerë (KEK-u) të punojë me tre  blloqe në TC-A dhe dy blloqe në TC-B, kjo per t'u aritur nuk ka as gjasa teorike. Llogaritja e thjeshtë tregon se edhe me këtë prodhim, në rastin më të mire (3X135)+(2×265) =405+530 do të kishim  vetem 935Mw/h.

935Mw/orë është vlerë e ekzagjeruar dhe ky prodhim kur të mirren parasysh faktorët negativ të gadishmërisë prodhuese, nuk mund të realizohet as për së afërmi. Prandaj planifikimi i Dep. Gjenerimi-t  te KEK-ut parasheh për këtë periodë një prodhim maksimal prej 800Mw/h.

Fakti që vetëm 52% e konsumit të përgjithshëm mbulohet nga prodhimi vendor tregon dhe alarmon problemet  e papërballueshme në elektroekonominë tonë për  eliminimin e mungesave  të mëdha  të grumbulluara vite me radhë .

Për momentin jo që kemi nevojë emergjente për 500Mw e TC Kosova e Re, por realisht edhe 500Mw të tjera për t'i preventuar situatatat  e krizës energjetike në të ardhmen.

Fatkeqsisht dekada pasuese do të jetë edhe më e vështirë  kur vie puna tek sigurimi i energjisë elektrike. Analizat kanë treguar se situata e tanishme po dëshmon se edhe vendet e rajonit po perballen dhe do të perballen me mungesë të energjisë, kështu që sigurimi i energjisë së nevojshme nga importi do të jetë në momente të caktuara edhe i pa mundur, ose zgjidhja do të lypet në kërkim të energjisë havarike emergjente për të cilën një Mw do të paguhet me çmim astronomik, siç ka qenë rasti këto ditë kur KEDS ka paguar deri në 348 EURO për megavat.

Që tani KEDS/KESCO importojnë 4,5-fish energji mbi plan që nuk mjaftonë as për së afermi  që ta mbuloi tërë konsumin e energjisë në Kosovë.

Kjo situatë e tanishme do të duhej t'i bind të gjithë skeptikët që në çdo mënyrë propagandojnë  kundër elektranave me qymyr duke trampetuar me argumente jo të sakta kundër spjegimeve të ekspertëve vendor dhe botëror që dëshmojnë se orientimi kah termoelektranat me thëngjill vjen nga fakti që  Kosova nuk ka mundësi që të siguroj kapacitete të mjaftueshme të energjisë nga uji dhe era për shkak të pozitës së saj gjeografike.

Janë për t'u brengosur hapat e ngadalshëm në realizimin e objektivave nga Strategjija e Energjise së Kosovës 2009-2018. Vonesa në çdo lëmi, duke filluar nga koncepti për fuqinë e instaluar, zgjedhjen e konkuruesit  potencial, zgjedhjen e investuesit, kontraktorit , mbikqyrësit, definimin e infrastrukturës ligjore, mënyrës së investimit përmbylljen financiare etj. Kur kësaj i shtohen edhe vonesat në realizimin e projekteve për hapjen e fushës së mihjes së re në një zonë prej 150 km2 ku ka probleme me zhvendosjen e vendbanimeve të tëra(Sibovc,Hade,Shipitull dhe Lajthishtë), atëherë edhe optimistët më të matur janë në dilemë që brenda kësaj dekade do të kemi situatën energjetike, së paku përkohësisht, të zgjidhur.

Ndërtimi i i Tc "Kosova e Re" është planifikuar të filloj në gjysmën e dytë të këtij viti, që i bie më së largu në muajin shtator. Duhet theksuar se tek ne, planifikimi dhe realizimi vështirë që përputhen, gjithmonë duke u bazuar në rrjedhat e gjërave të gjerëtanishme. Duke e ditur fatin e të gjitha projekteve  kapitale në periudhat e pas luftes, realisht nuk mund të presim që në sektorin energjetikës të jetë ndryshe, edhe pse ky sektor duhet t'a ketë një tretman më special të cilin e gezojnë të gjitha elektroekonomit simotra.

Çmimi i katërfishuar i megavatit në këtë periudhë paralajmëron një krizë të re energjetike në rajon. Përparsinë që Kosova e ka, duke i pasur resurset, duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe atë në një kohë sa ma të shkurtër.

Edhe pse e kemi të hartuar edhe strategjinë e re 2016-2025, ku parashihen investimet e reja kapitale në Tc-A, pas fillimit të  të punës (komisionimit)Tc-Kosova e Re parashikimet nuk premtojnë shumë nga arsyeja se vonesa e një projekti në sektorin energjetik automatikisht prodhon vonesat tjera në zingjirin e investimeve të reja. Imperativi për ndërtimin e kapaciteteve, të nevojshme dhe të domosdoshme në mbulimin e kërkesave për energji elektrike, kanë argumente të forta, e në instancë të fundit edhe për eliminimin e importeve me çmime astronomike, sidomos në periudha dimërore.

Është koha e fundit që inistitucionet vendore t'a kenë një çasje shumë më serioze sa i përket sektorit të energjise, sepse ngecjet dhe vonesat në këtë lëmi po prodhojnë edhe probleme të tjera që janë poashtu madhore, siç është ndotja e ajrit. Edhe pse problematika e ndotjes te ne ka marrë një konotacion të gabuar dhe është dramatizuar më tepër se që duhet.

Disa ekolog paraqesin një dukuri të rrezikshme nga arsye së kanë dije të kufizuara për gjërat më të cilat parashihet të arrihet një e mirë dhe në këtë mënyrë vazhdojnë të manipulojnë me gjysmë informata dhe shtyhen gjithkund që të japin mendimin dhe të kyqen në menagjimin e situatës. Më e keqja është se në shumicën e rasteve, këta kanë perkrahjen e pushtetarevë që udhëheqin shtetin sepse këtyre të fundit i përshtaten veprimet populliste edhe pse ato nuk e kanë bazën në fakte reale.

The post Pasojat e vonesave në ndërtimin e Termocentralit "Kosove e Re" appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more