Skip to main content

Ese për jetën

Ese për jetën
Mundohesh të bindësh veten se dita më e bukur nuk ka ardhur ende. Jeton me këtë ndjenjë për muaj e vite të tëra. Sa më shumë që kalon koha aq më tepër e kupton se mbase ajo as që do të vij më. Heshturazi diçka të shtyn të besosh se ajo tashmë kishte ardhur por ti nuk e kishe vëne re. Atëherë fillon të vrasësh mendjen se cila ka mundur të jetë ajo ditë. Ndoshta kur si fëmijë kishe vizatuar një hartë në të cilën i kishë bërë bashkë të gjitha kontinentet që njihje, duke i derdhur detërat në gotën e çajit mbi tavolinë. I madh e i vogël ishin mahnitur nga ajo pamje, që disa e quajtën tabllo e ftohtë, sa që për të shkruan dhe gazetat në kryeqendër dhe emri yt për herë të parë u lexua edhe nga njerëzit që nuk i njihje as të njihnin. Mbase një e tillë do të mund të ishte dhe dita kur për herë të parë puqite buzët me një vashëz, e cila të bëri të mendosh se tashmë je një ‘‘macho’’ i vërtetë. Plot vetbesim, ende pa pritur as të kalonin njëzet e katër orë për këtë ‘‘ngjarje të shekullit’’ siç e quaje ti, por e cila ndodhi në vitin e fundit të milienumit të vjetër, i tregove fije për pe shokut më të ngushtë. Ai i tregoi vetëm pak nga ajo shokut tjetër të tij, e ai, pasi i shtoi dhe nja dy të tretat, tërë shkollës. Gjithçka pëfundoi me një flakareshë që ta dha ajo të nesërmen në mes të korzos së qytetit. Që nga ajo kohë të ka humbur besimi në miq. Dhe femra.
Vite më pas u martove me një tjetër. Dasma ishte e hareshme, por ti dukeshe i hutuar. Të bëhej se je bërë burrë në shikimin e tjerëve, por të tmerronin obligimet që duhej marrë si bashkëshort. Më nuk do ishte i lirë. Së paku jo ashtu si ishe mësuar ti. Tani atë duhej ndarë përgjysmë. Dhe gjithçka tjetër. Krejt. Sa ti aq dhe ajo. Një mëngjes me mjegull e kuptove se së shpejti do të bëheshe baba. Sapo more këtë lajm fillove të kthesh prapa skenat e disa netëve më parë dhe të pyetësh se ku gabove. Dhe e gjen. Fajin e kishte vera e kuqe. Si gacë. Gjunjët të tradhëtuan, por nuk u rrëzove. U mbajte si mashkull. Ende pa u këndellur nga kjo tronditje vere barku i gruas filloi të fryhej. Një ditë e kapën dhimbjet që t’i nuk i kuptoje. Dhe nuk mundje sepse në fisin tënd zakonisht meshkujve nuk ju zihet shtati. Vetëm goja. Nganjëherë. Ashtu, kur i kap paniku. E dërguan në spital. Ti qëndrove me të tërë natën. Jo se kishe frikë se do i trubullohej mendja asaj, por nuk ju zije besë mjekëve. Kishe dëgjuar se ata i fusin jo vetëm hundët por dhe duart çdokund. Edhe aty ku nuk e kanë vendin. Të dielën ajo zuri të qajë. Ti e luteshe të pushonte. Ajo shkulte flokët pa kursim e ty të dhimbeshin pesëdhjetë eurot që kishe paguar për rregullimin e tyre një javë më parë. Fqinji i tretë nga dritarja e fundit fejonte vajzën që ishte në të dyzetat e hershme dhe ju duhej të ishit patjetër çifti më i mirë në atë gosti. Pa rënë terri, një infermiere e re doli nga salla e operacionit dhe të zgjati dorën duke të uruar. Ti e përqafove fort. Si të ishte një teze e afërt e familjes. Dorën e djathtë ja le në ajër. Nuk i dhe asnjë qindarkë dhe as të bëri përshtypje që të tha ‘‘trullakan’’, apo ashtu diçka. Të hollat do të duhen për të blerë rroba për foshnjën-mendove-se kush e di sa do të zgjatë dimri këtë vit. Para duhet të dhurojnë ata që kanë pritur gjatë të bëhen prindër, jo si puna jote. Si të kishe qenë kamarier në ‘‘orient expres’’.
Tre vite më pas djali tashmë kishte marrë këmbë. Ty të ngatërrohej nëpër to. Fjalët i lëshonte mu si ti dikur: qetë, ngadalë dhe me ‘‘kuja’’. Një mëngjes tu duk se të tha ‘‘Spiderma ...an’’. -Sigurisht e ka dëgjuar nga daja i madh-the me vete. E kalove në heshtje dhe nuk e qortove. Më shumë do doje të ja ledhtoje pak veshin por në ato momente hyri gruaja dhe ti, jo se kishe frikë, por nga respekti për harrmoninë brenda katër mureve, e ngrite çunin lart. Sapo bëre këtë, një erë, e çuditshme për shijen tënde prej aristokrati, t‘i mbushi hundët dhe ty tu morr fryma. E këshillove që herën tjetër mos ta bëj në pantollona dhe e dërgove tek banjo e përbashkët duke i treguar me dorë një vrimë të madhe, sa koka e dajës Agim.
Pastaj filloi lufta. Kishe dëgjuar se deri më tani asnjë gjeneratë nuk e ka pasur fatin e keq të mos e përjetojë atë. Pse do duhej që ti të bëje përjashtim nga ky rregull, i vjetër sa vet bota. Kjo të qetësonte. Mbrëmjeve uleshe pranë televizorit me ngjyra më afër se të tjerët. Doje të dëgjoje lajmet i pari. Ziheshe në vetvete kur plakat e veja, që vinin të pinin kafe turke tek ju, thonin se me këtë trup vendin do e kishe në istikame e jo në shtëpi. Të gjorat. Nuk e dinin se arsyeja nuk ishte se nuk doje por se që kur kishin filluar të binin bombat e para lëkura kishte filluar të të gërvishej në shumë vende. Mbase ishte nga plutoniumi ose uraniumi, si i quanin korrespodentët nga fushëbetejat. Luftëtarët duhet të laheshin ndonjëherë dhe nuk do të mund t’i bëje ballë turpit që puna e njollave tua të bëhej çështje diskutimi në hapësira jo të mbyllura. Sapo po mendoheshe se ndoshta edhe ja kishte vlejtur që të dalësh ndonjë fundjave në ajër të pastër, në front, dhe të mësosh si shtihet më pushkë, së paku në ajër, dikush tha se u krye. Bela-the me vete-tash nuk do të durohen heronjt e lagjes. Prej tyre kishte dhe trima. Por ata nuk ishin kthyer. Si fitimtarë në qytet kishin hyrë këta të tjerët. Më të shumtë në numër. Biri yt tashmë voziste biçikletën. Ata që kishin mbetur e lutën të dilte deri në fund të rrugës dhe të hulumtonte gjendjen në teren. Të parën nuk e kuptoi. Të dytën po. Fillimisht nuk pranoi, por pasi e lutën shumë, dhe pas shpinës tënde, lutjen e ndihmuan edhe me dy cigare pa filter, ai ju dha këmbëve. Pas njëzet minutash u kthye i mbushur frymë.-Kanë ikur-tha-e gezofshim lirinë! Ty tu djersitën faqet. Ishte hera e parë që dikush ta pa lotin.-do bëhesh i madh, bir!-i the-më i madh se baba!-dhe i ofrove një copë çokollade të bardhë. Ai të shikoi me indiferencë dhe nuk të foli deri kur prapë ju vizitoi daja i tij, i madhi dhe nusja e tij e re. E treta. E more vesh se më nuk ishte fëmijë. Ishte bërë burrë.
Tash zihesh në vetvete. Cilën nga këto ditë do të mundje ta shpallje si historike e të mos të përqeshte bota. Po të mos ishe lindur me dorë të mbarë gazetat do të mbeteshin më të varfëra për një artikull pikant nga fusha e talentëve të rinj, puthja e më pas dhe flakaresha, për të cilën edhe pas kaq viteve flet i tërë qyteti, nuk do kishin ndodhur fare dhe gojëkëqinjt do mbanin gojat mbyllur. As gruaja nuk do kishte pasur nderin që pjesën e mbetur të jetes ta kalonte pranë një njeriu si ti. Plot jetë. Djali mbasi do të mund të ishte ngjizur edhe në ndonjë aferë jashtë shtratit bashkëshortor. Në atë rast nuk je i sigurtë se do të ngjante aq shumë në ty. Mbase do kishte marrë ndonje ves të ligë nga gjysma tjetër. Nga ti ka trashëguar edhe admirimin ndaj sorrave. I quan pulëzeza. E sa për luftën, nuk ishte në duart e tua as kur do nisej as kur do përfundonte. Në fakt u bë mirë që mbaroi. Po të zgjaste edhe pak do të zvogëlohej zemra e turpi do të të hynte në ujë. Si leckë e shtrydhur.
Para se të kthehesh në dhomën e gjumit të kujtohet se në këtë listë do ishte e ndershme të hynte edhe dita kur çuditërisht shpëtove nga mina. Disa miq të kishin ftuar të ju bashkangjiteshe në gjueti kundër derrave të egër. Nuk kishe asnjë lidhje me këtë mani, por nuk ua prishe qejfin. Ende pa vrarë asgjë dhe askë, ti, me qëllim që të gjurmosh përreth se mos rastësisht gjen një pushkë të hedhur nga ndonjë betejë për prestigj, shkele në diçka që në fillim tu duk si një majë gypi i ndryshkur. -Mos-të bërtiti njëri nga më pleqët në grup, ai që dukej më kryesori-Mos lëviz se të mori e liga!-Zëri i tij të trishtoi.-Pse të mos lëviz-the me vete-Unë jam njeri i lirë. Për këtë liri lanë kokat dëshmorët e të gjitha luftërave. Dhe gjitha ngjyrave. Nuk tu desht shumë ta merrje me mend se po të kishe bërë dhe një hap para do të mund të vdisje. Të mos ishe më. Tu dhimbs vetja. Pse do duhej mu sot të të thërrmohej trupi. Ai trup aq i mirë nuk e meritonte një vdekje të tillë. Të bëhej copë e grimë në një vend të lagët si ky. Plot shkurre, baltë e hekurishte të harruara gjatë ikjes. Po të të kishte zënë ndonjë automjet i tipit më të ri, ta zëmë ferari, do ja falje. Së paku dikujt i kishe shërbyer si premierë. Por këtë fund nuk e pranoje asesi. Prandaj dhe qëndrove stoik për më shumë se dy orë derisa nga aty të larguan disi ca ushtarë të uniformuar që flisnin një gjuhë të huaj. Si amerikanët.
Në fund të meditimit dyfaqësh e kupton se në të vërtetë çdo ditë që ke jetuar ka qenë e bukur. E veçantë. Autentike. Ashtu, në mënyrën e saj.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more